Shqipëria “braktiset” nga fqinjët në Eurovisionin

“Nëse vendi im, Holanda nuk fiton, dua që Eurovisionin ta fitojë Shqipëria. Ata kurrë nuk më zhgënjejnë”. Kështu shkruante disa javë më parë një komentuese në Youtube, ndërsa një blogger i huaj vlerësonte performancën e Jonida Maliqit me këngën “Ktheju tokës”. Por, ashtu siç e kishin parashikuar bastvënësit që e kuotonin të parin Duncan Laurence dhe këngën e tij “Arcade”, Holanda u shpall fituese e Eurovision 2019. Këngëtari 24 vjeçar e çoi trofeun në Holandë pas 44 vitesh, ku trofeu i fundit mbahet mend prej 1975-s.

“Jam frymëzuar nga historia e një njeriu të dashur, që vdiq në moshë të re”, shpjegon Laurence, “Arcade është një hisotri rreth kërkimit për dashurinë e jetës Është shpresa që ndonjëherë, është e paarritshme”. Megjithëse këndon “Të të duash është lojë e humbur”, për Duncan loja në Izrael ishte fituese, duke triumfuar mes 26 vendeve konkurruese.

Por ishin votat e publikut ato që përmbysën rezultatin, duke i zbritur dy pretendentët, Suedinë dhe Maqedoninë e Veriut, shumë të vlerësuar nga juria.  Laurence u shpall fitues me 492 pikë, duke marrë plot treqind pikë nga votuesit. Në vend të dytë u rendit Italia, me 465 pikë përfaqësuar nga këngëtari Mahmood me “Soldi” , duke e ngritur Italinë tre vende  më lart nga viti i kaluar , ku Ermal Meta dhe Fabrizio Moro u renditën të pestët. Në vend të tretë u rendit Rusia, përfaqësuar nga këngëtari Sergei Lazarev, me këngën “Scream”.

Edhe këtë vit, ajo që u vu re ishte votimi i jurive profesioniste, ku më shumë se muzika dominoi politika e fqinjësisë së mirë, por  jo për Shqipërinë. Ndryshe nga më parë, që prej përfaqësimit të parë të vendit më 2004-n,  fqinjët tanë si Maqedonia e Veriut dhe Greqia thuajse na shpërfillën. Dymbëdhjetë pikët, Maqedonia e Veriut i dha për Italinë, ndërsa fqinjët tanë jugorë që tradicionalisht votojnë Qipron me pikët maksimale, por duke na i rezervuar 10 pikë, kësaj herë menduan t’i jepnin Shqipërisë dhe këngës “Ktheju tokës” vetëm tre pikë. E njëjta tablo edhe në veriperëndim, me Malin e Zi, që 12 pikë ia dha Serbisë, ndërsa kjo e fundit votoi maksimalisht këngëtaren Tamara Todevska dhe zero pikë për Shqipërinë.

As nga fqinjët më të dashur të matanë detit nuk pat vlerësim për performancën e Jonida Maliqit. Juria e profesionistëve italianë vlerësuan maksimalisht Danimarkën dhe me minimumin e pikëve Shqipërinë.  Nga ana tjetër edhe Shqipëria kishte rezervuar vetëm pesë pikë për “Soldi” të Mahmood, ndërsa 12 pikët i shkuan Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë Italia u votua nga fqinjët e saj si Malta, San Marino, Belgjika, Kroacia, por edhe Gjermania.  Por kënga “Proud” e konkurrentes nga Maqedonia u vlerësua edhe nga juri të vendeve jo fqinje si Britania, Moldavia, Austria e Zvicra. Shqipëria arriti të mblidhte nga votimet e jurisë vetëm 43 pikë, ndërsa publiku e votoi me 47 të tjerë, duke arritur një rezultat total prej 90 pikësh, që e renditi  të 18-tën mes 26 konkurrentëve, shtatë vende më poshtë nga performanca e vitit të kaluar me “Mall” të Eugent Bushpepës.

Megjithatë Jonida Maliqi  u vlerësua nga fansat e Eurovision si vokali më i mirë femëror dhe si ekzekutimi më i mirë live i këngës “Ktheju tokës”, një mesazh që trajton një fenomen të ri për shqiptarët, por të lashtë për njerëzimin, duke përkuar me historinë e  popullit izraelit, të cilët e krijuan shtetin e Izraelit më 1948, pas shekujsh mërgim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT