Shteti laik si gur themel i interesit kombëtar/ Përse cenimi i arsimit laik në Kosovë përbën një ide të keqe?

Prej disa kohësh, hapësira publike dhe mediatike në Kosovë po gumëzhin rreth një debati shterp: futja e ‘shamisë’ në shkollat publike, që në thelb do të thotë vënja në diskutim e vet shtetit laik! Të shqetësuar dhe me të drejtë, shumë zëra nga mbarë bota Shqiptare, kanë reaguar, duke paraqitur dhe ngritur alarmin, për një numër problemesh që do të sjellë për shoqërinë tonë, duke filluar nga arritja e emancipimit se gruas deri e vënies në pikëpyetje të kohezionit tonë kombëtar që mund të çojë deri në Libanizimin e Atdheut tonë, mirëpo këtu do t’ju paraqes një argument ndryshe dhe jo konvencional.

Zgjedhja e Rilindasve për një qasje laike të kombit tonë, që i madhi Pashko Vasë Shkodrani e quan ‘Shqiptari(a)’ duke na bërë thirrje të ‘mos shikoni kisha e xhamia’, nuk ishte aspak e rastit, por një zgjedhje e bërë me ndërgjegje të plotë. E drejta ndërkombëtare (droit public de l’Europe) që u afirmua në shekullin e XIX-të, përbëhej nga një rreth i ngushtë shtetesh që quhej “Familja e Kombeve” (Family of Nations). Kjo e fundit edhe pse kishte karakter laik në pamje të parë, në thelb përmbante ‘një element të fort Kristian’.

Në fakt, Thomas E. Holland (1835-1926), jurist dhe profesor i të Drejtës Ndërkombëtare pranë Universitetit të Oksfordit e përcaktonte ‘Familje e Kombeve’ si ‘një bashkësi vendesh që për arsye historike kanë trashëguar një Qytetërim të përbashkët edhe ndodhet moralisht dhe politikisht në të njëjtin nivel’ duke shtuar se e përbënin ‘kombet e Krishtera të Evropës dhe [ish kolonitë e tyre në] Amerikë’.

Që të bëhesh dikush anëtar i ‘Familjes’ sipas juristit dhe profesorit Gjerman të Universitetit të Cambridge, Lassa Francis Lawerence Oppenheim (1858-1919), ekzistonte ‘ekskluzivisht vetëm një mënyrë’ dhe ajo ishte ‘njohja’ nga anëtarët e tjerë të ‘Familjes’. Megjithatë një nga elementet bazik për njohjen, përbënte ajo çka u bë e njohur si ‘Standarti i Qytetërimit’ (Standard of Civilization). Edhe pse ‘standarti’, siç ndodh shpesh me ligjet, nuk ishte shumë i qartë dhe gjithnjë ishte i hapur për interpretim sipas studiuesve Casper Sylvest dhe Duncan Bell, gjatë vlerësimit, standarti merte parasysh elemente si feja, përparimi teknologjik, raca, kapacitetet ekonomike, institucionet politike, morali si edhe ndërgjegjja kombëtare.

Megjithatë, sipas Oppenheim, nga mesi i shekullit të XIX-të, u bë një ‘hapje’ e parë drejt një vendi jo të Krishterë, kurrë në vitin 1856, me Traktatin e Parisit, që mbylli ‘Luftën e Krimesë’, Perandoria Osmane për arsye gjeopolitike u pranua në gjirin e Koncertit të Evropës. Mirëpo siç argumentojnë studiues si Charles Alexandrowicz, me gjithë njohjen formale, Porta nuk u trajtua si e barabartë, për shkak se i përkiste sipas mendimit Evrocentrik, një ‘Qytetërimi të prapambetur’, siç e tregon vetë fakti që nuk u abroguan kapitullimet, apo marrëveshjet e pabarabarta me Fuqitë e Mëdha Evropiane. Sipas Davide Rodogno, intelektualët Evropian të kohës, ja adresonin ‘prapambetjen’ e Qytetërimit Osman fesë së ndryshme dhe të ‘këqijave’ që rridhnin nga doktrina Islamike siç ishte despotizmi në politikë apo poligamia në nivel shoqëror.

Rrjedhimisht, stereotipitë që u zhvilluan dhe u përhapën gjatë shekullit të XIX-të në lidhje me Lindjen, që Edward Said quan ‘Orientalizëm’, luajtën një rol kryesor edhe për fatin e Shqiptarëve. Siç ka theksuar studiuesja Maria Todorova, një vend si Shqipëria, në imagjinatën e Perëndimorëve ngjante me ‘urë’ ose ‘udhëkryq’ midis Lindjes dhe Perëndimit, një hapësire e dykuptimtë midis barbarizmit dhe qytetërimit, gjeografikisht në Evropë, mirëpo kulturalisht e ndryshme nga Evropa Perëndimore.

Si pasojë, shkencëtar, jurist, intelektual dhe politikanë me influencë në politikën Evropiane këmbëngulnin në papërshtatshmërinë e myslimanëve për ekzistencë të pavarur politike. Përfaqësues është mendimi i juristit Skocez dhe njëherazi profesorit pranë Universitetit të Edinburgut, James Lorimer (1818-90). Sipas tij, vendet popujt e të cilëve ndiqnin fe si Hinduizmi apo Budizmi mund të arrinin ‘statusin’ e ‘vendit të qytetëruar’ por në asnjë rast myslimanët.

Këto paragjykime për papërshtatshmërinë e myslimanëve për jetë politike të pavarur i përforconin rrëfimet e udhëtarëve Perëndimor, të cilët bënin fjalë për ‘përparim mbresëlënës’ nga ana e ‘Serbëve dhe Rumunëve” të krishterëve qëkurse fituan autonominë. Në fakt, këto paragjykime nuk janë larguar kurrë pasi historiani Britanik, William Miller (1864-1945), që gëzonte influencë në qarqet politikbërëse të Londrës, këshillonte qeverinë e tij që te ‘zhvillonte miqësinë me Vendet të Krishtera, të cilat me gjithë të metat e tyre, kishin atë që Turqisë [myslimane] i mungonte, mikrobin e përparimit’.

Në këtë kontekst duhet lexuar edhe këmbëngulja e Rilindasve për të adoptuar një ideologji nacionaliste laike. Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa Evropa ja njohu shtetësinë Serbisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, ia mohoi Shqiptarëve. Karakteristike është raporti i konsullit Italian në Çetinje, Cesare Durando, drejtuar qeverisë së tij mbushur me stereotipa dhe paragjykime ku argumenton kundër dhënies së autonomisë Shqipërisë nga Fuqitë Evropiane më 1880. Sipas Durande meqenëse ‘shumica [e Shqiptarëve] janë myslimanë, autonomia do të jepesh në favor të tyre: që do e linte Shqipërinë përgjithmonë Turke’, pra shtet mysliman në kontinentin e vjetër.

Thuajse, pak më shumë se një shekull më vonë, kur një tjetër ‘perandori’, Jugosllavia ishte duke u shpërbërë, presidenti Francez, François Mitterand në vitet 90’ i tha Presidentit Bill Clinton se një Bosnje e pavarur do të ishte ‘jo-natyrale’ si i vetmi shtet mysliman në Evropë ndërsa zyrtarët Britanik e përshkruanin gjenocidin Boshnjak si një proces të ‘dhimbshëm por realist për të ribërë Evropën të Krishterë’. Shqiptarët përfituan se ndryshe nga Boshnjakët, të cilët kishin për President Izbetgovic, i cili argumentonte se ‘nuk mund të ketë paqe midis fesë Islame dhe shoqërive dhe institucioneve jo-Islamike’ në veprën ‘Deklarata Islamike’ që i kushtoi lirinë në vitet 70’, arritën të fitojnë luftën mediatike duke çarmatosur argumentet Serbe se po bënin një kryqëzatë në emër të Evropës së Krishterë pasi ushtarët e UÇK-së bënin një betim laik për një luftë nacional-çlirimtare, betoheshin para flamurit të Kastriotit se ‘do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, […] i gatshëm që më çdo kohe, pa kursyer as jetën time të luftojë për t’i mbrojtur interesat e shenjta të ATDHEUT’ dhe jo të ndonjë feje të caktuar.

Ndaj mos t’ju gënjejë mëndja për asnjë moment, që duke çmontuar shtetin laik jeni duke bërë ndonjë revolucion. Kushtetuta e Kosovës, me gjithë të metat e saj, garanton të drejtën e besimit për të gjithë qytetarët, siç e kishin imagjinuar Rilindasit si Anastas Kulurioti, i cili më 1879 shkruante se ‘Shqipërinë duam ta shikojmë, një, autonome, të bashkuar me rend kushtetues për tu pasur zili të barazisë së feve dhe besimeve pa diskriminim racor apo klasor, ku muhamedan, të krishterë dhe izraelit; Turq, Shqiptarë, Hebrenj dhe Grekë mund të bashkëjetojnë si vëllezër për inat të ziliqarëve’.

Çdo devijim nga kjo premisë, ju garantoj që do na çojë në një qorrsokak, që eventualisht do të na lërë të vetëm përballë Beogradit. Serbia po përgatitet çdo ditë për një revansh të ri duke u armatosur deri në dhëmb, po përgatit terrenin me ngjyrosjen e Shqiptarëve si ekstremist të ISIS-it, po na dehumanizon dhe po legjitimon gjenocidin e nesërm. Rritja e forcave të djathta anembanë Evropës, të cilat janë islamofobe, por edhe ngritja e influencës së Evangjelistëve (shiko the Bible Belt) në Shtetet e Bashkuara e kombinuar edhe me uljen e rëndësisë gjeostrategjike të hapësirës Shqiptare në Ballkan, meqë Washingtoni, ka identifikuar dhe investuar në Athinë dhe Bukuresht si pjesë e arkitekturës Ballkanike së sigurisë Evropiane vis-à-vis Rusisë, kanë ulur ndjeshëm mundësinë të shikojmë në të ardhme Beogradin në flakë si në 99’ dhe duhet të na bëjë të mendojmë thellë për imazhin tonë publik në kancelarit botërore nëse dëshirojmë mbështetje. Ndaj lë ti mbajmë shkollat tona dhe hapësirat publike laike dhe fetë, cilado qofshin ato, lë ti praktikojmë me respektin maksimal në sferën private dhe në objektet e kultit sepse siç thoshte dhe i madhi Gjergj Fishta, ‘vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë’!

Nga Erkjad Kajo

Back to top button
LAJMET E FUNDIT