ZBARDHEN bisedat “që i bënë gropën” djalit të ish-deputetit të PS-së dhe vëllait të tij: Ka rra rruga! O vlla na fikën….

Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, ra në prangat e policisë disa ditë më parë, pasi dyshohet se është i përfshirë në një rrjet të strukturuar të trafikut të drogës.
Sipas hetimeve të bëra me dije deri më tani, Rraja së bashku me disa anëtarë të fisit të tij, përfshirë xhaxhain dhe kushërinjtë, kishin ngritur një skemë të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Turqisë.
Bëhet fjalë për një sasi prej 236 kilogramësh marijuanë, e cila u zbulua dhe u sekuestrua nga autoritetet turke në pikën kufitare të Kapikules më 26 janar, ndërsa shoferi i kamionit u arrestua dhe më pas u dënua nga drejtësia turke.
Provat kryesore ndaj grupit kriminal janë komunikimet e përftuara nga aplikacioni i koduar Sky ECC, ku Rexhep Rraja dyshohet se përdorte kodet “XR1” dhe “New Sky”.
SPAK bën me dije se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini (alias Iamandi Sokol Qaja), Marvin Bushati, Bujar Sefa (alias Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani) dhe Jani Cavo kanë kryer veprën penale të trafikut të narkotikëve, të realizuar në bashkëpunim dhe në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal.
Në dosjen hetimore janë zbardhur komunikime mes të dyshuarve, të cilat tregojnë momentin kur grupi mëson për kapjen e shoferit. Gazmir Rraja informon Përparim Rrajën se ngarkesa ishte zbuluar:
“Ka ra rruga. Ka mor shoferi nusen e vet në tel, i ka thënë me kan kap”, shkruan ai.
“Po më tha Xheni”, përgjigjet Përparimi.
“Tjena mirë”, shton Gazmiri.
Sipas autoriteteve të drejtësisë, një nga porositësit kryesorë të sasisë së drogës ka qenë Rexhep Rraja. Në komunikime të tjera, Gazmir Rraja e pyet nëse kishte dalë në media lajmi për arrestimin e shoferit dhe sekuestrimin e drogës:
“A ka dal me naj gazet? A është kap a jo?”
Rexhep Rraja i përgjigjet: “Ka çu rob, ka pa kamionin aty te parku, s’dijmë hala asgjë”.
Bisedat mes të dyshuarëve hedhin më tepër dritë mbi mënyrën e paketimit të lëndës narkotike, me qëllim dallimin e ngarkesave.
“Rois po i mbyll vetë. Ka blerë qeset e veta e po i mbyll”, thuhet në një nga mesazhet.
Në një tjetër komunikim, Jani Cavo kërkon sqarime mbi vendosjen e shenjave dhe udhëzon që asnjë veprim të mos kryhej pa u verifikuar më parë ngarkesa nga porositësit, duke paralajmëruar për përgjegjësi personale në rast gabimi.
Në mesazhe të tjera, Rexhep Rraja shpreh dyshime dhe kërkon detaje lidhur me ngarkesën, duke theksuar se nuk pranonte informacione të paqarta. Pas këtyre bisedave, ai paralajmëron një prej bashkëpunëtorëve për rrezikun e përgjimeve, duke theksuar se çdo komunikim mund t’i kompromentonte.
Pavarësisht përpjekjeve për ta çuar ngarkesën në destinacion, operacioni ka dështuar pas sekuestrimit të drogës nga autoritetet turke.
Rexhep Rraja, emri i përfolur në drejtësi dhe në media prej shumë vitesh, u rikthye ditë më parë në qendër të vëmendjes pas arrestimit të tij gjatë një operacioni të gjerë policor, ku ai dhe disa persona të tjerë akuzohen për transportim të lëndëve narkotike. Por, historia e tij me organet e drejtësisë ka nisur shumë më herët.
Emri i Rexhep Rrajës u lakua për herë të parë në shtator të vitit 2018, kur aso kohe ai u akuzua për dhunimin e Xhisiela Malokut. Ngjarja mori edhe më shumë jehonë pasi ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu deklaroi se ishte kërcënuar nga eksponentë të Partisë Socialiste për të mbyllur dosjen.
Rraja u arrestua në 30 shtator të atij viti, ndërsa procesi gjyqësor përfundoi me vendimin e gjyqtares Engjëllushe Tahiri, e cila e dënoi me shërbim prove, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar një vit burg.
Përfshirja në ngjarjen e vitit 2023:
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rrajës, u rikthye në titujt e mediave edhe në korrik 2023, kur ai dhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja, organizuar sulmin e dhunshëm ndaj dy kushërinjve të fisit Maja.
Ngjarja ndodhi më 6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë–Thumanë, ku një grup personash nga fisi Rraja mësynë në ambientet e lokalit ku dy kushërinjtë ndodheshin dhe i goditën me shkopinj gome dhe bejsbolli Bilbil dhe Jashar Majën. Sulmi ndodhi teksa ata po diskutonin me inxhinierin e një guroreje për dëmet që shpërthimet po u shkaktonin banesave të tyre.
Nga problemi me drejtësinë, në botën e biznesit dhe jetën luksoze:
Pas përfundimit të shërbimit të provës në vitin 2018, Rexhep Rraja iu fut biznesit. Djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja rezultonte aksioner i kompanisë “DigiTel”, të cilën e kishte themeluar së bashku me Erjon Sefajt, më 14 janar 2020, duke zotëruar secili nga 50% të aksioneve.
Kompania operonte në fushën e teknologjisë dhe telekomunikacionit, duke ofruar: Rrjete dhe shërbime të komunikimeve elektronike; Shërbime audio dhe audiovizive; Montime sistemesh sigurie; Pajisje mjekësore dhe sisteme UPS; Instalime telekomunikacioni, pajisje kompjuterike, import–eksport dhe shërbime të tjera teknike në përputhje me legjislacionin në fuqi. Por ky biznes vijoi për dy vite.
Ndërkohë që për të gjithë në zonën e Fushë-Krujës, Rexhep Rraja ose i njohur ndryshe si “Xheni” i pëlqente jeta e luksit të cilët nuk nguronte ta shpërndante edhe në rrjetet sociale. Nga fotot e kapura vite më parë, ai shihej teksa publikonte makinat luksoze, por dhe armë e rrënjë kanabis.
Mirëpo, kujtojmë se mëngjesi i sotëm e vendosi atë sërish para drejtësisë. Forca të shumta policie, zbarkuan në disa banesa në Fushë-Krujë ku dhe u ekzekutuan gjashtë masa sigurie ndaj një grupi të dyshuar kriminal të përfshirë në transportim të lëndëve narkotike.