Rama nuk ia përton një përgjigje “trimoshave të BKH-së”: Episodi më i ëmbël që mund të gjeja për ju! Keni mungesë etike profesionale
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur reagimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), lidhur me një episod të treguar nga shefi i qeverisë në podkastin e tij sot ku në “shënjestër” ishin “trimoshat e BKH”, referuar agjentëve.
Rama nuk bën pas nga e vetja, teksa vijon të theksojë mungesën e etikës profesionale të kësaj trupe ndërsa thotë se mendësia e tyre për të hyrë të armatosur brenda në kryeministri, ishte një ndër episodet më të ëmbla që Rama mund të bënte publike referuar mungesës së tyre profesionale.
Kryeministri e përmbyll reagimin e tij duke thënë se ka ardhur koha që t’i lihet terren drejtësisë së re dhe rrjedhimisht standardeve të reja për të dominuar.
“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, pa diskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithsesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrsesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri Rama tregoi sot se disa agjentë të BKH shkuan në kryeministri dhe kishin debatuar për të dorëzuar armët teksa ishin futur në godinë. Këta të fundit u përgjigjën teksa sqaruan se nuk ka pasur debat, por janë siguruar për të dorëzuar armët.