Bajram Begaj nuk i shkon në selinë e LDK-së, Lumir Abdixhiku refuzon të takohet me presidentin e Shqipërisë

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku e quan këtë një ngjarje të pazakontë.

Në një reagim për mediat vendase, LDK thotë se të gjithë krerët e tjerë nga Shqipëria kanë vizituar selinë e partisë për takime zyrtare. Ndërkohë, referuar agjendës së presidentit Begaj, parashikohet që më datë 16 gusht, ai të takohet me Abdixhikun.

“Për dallim nga krerët institucionalë paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj”, thuhet në deklaratë. Më tej, bëhet me dije se duke qenë se Begaj nuk do të shkojë në selinë e LDK, kjo forcë politike refuzon takimin nesër me të.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë. Me respekt”, vijon reagimi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT