Qeveria e vendosur: Bordi për çmimin e karburanteve nuk do shkrihet, po mbrojmë qytetarët

Ministrja Ibrahimaj i përgjigjet opozitës: Abuzimet do të ishin më të mëdha
Bordi për monitorimin e çmimit të karburanteve do të vazhdojë të funksionojë.
Në një intervistë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj konfirmon se nuk do të merret një vendim për shkrirjen e tyre për shkak, sipas saj, të paqëndrueshmërisë së çmimeve në tregjet ndërkombëtare:
“Për sa kohë që jemi në kushte të një pasigurie për ecurinë e çmimeve, të energjisë në përgjithësi dhe të karburanteve në veçanti, ne do të vijojmë të mbajmë bordet”.
Ibrahimaj siguron se marzhi i fitimit si për tregtimin me shumicë ashtu dhe atë me pakicë është i kontrolluar ndërsa nëse bordi do të shkrihej abuzimet do të ishin të mëdha”
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marzhet e fitimit në situata normale. Por në situata spekulimi, në situata ku pritshmëritë dhe pasiguritë janë të larta, këto marzhe mund të rriten akoma më shumë”.
E pyetur përse nuk ka një reflektim të menjëhershëm të uljes së çmimit në pikat e tregtimit me pakicë në vend kur kjo ndodh në bursat ndërkombëtare ndërsa krejt e kundërta ndodh kur ka rritje të çmimit në këto bursa, Ibrahimaj shpjegon se bordi ka si pikë reference çmimet e naftës së përpunuar dhe jo çmim të naftës bruto në bursë:
“Mundohemi që sa herë që çmimi i bursës të ulet, të mblidhemi në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që e shtyjmë mbledhjen kur çmimet rriten me qëllim që çmimet në treg të jenë sa më të ulëta”.
E pikërisht me këtë fakt, sipas ministres së Financave, abuzon qëllimisht opozita e cila këmbëngul për shkrirjen e bordeve:
“Opozita në periudha krize kërkon të destabilizojë akoma më shumë. Në mënyrë të vazhdueshme i referohet çmimeve të naftës bruto, ndërkohë që luhatja e bursës së standardit që ne tregtojmë, nuk është e njëjtë me luhatjen e bursës së çmimeve të naftës bruto”.
Bordi i Transparencës, si për karburantet ashtu dhe ushqimet, u ngritën në mesin e marsit me akt normativ për të kontrolluar tregjet në mesin e një krize ndërkombëtare të diktuar nga ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë.
Por edhe pse çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka ardhur në vlerat që ishin para kësaj ndërhyrje, qeveria ka vendosur t’i mbajë këto borde me arsyetimin se tani ka një tjetër krizë që është ajo energjetike e që mund të ndikojë dhe në tregun e hidrokarbureve.