Më në fund Kosova e Shqipëria, me një pako për turizëm
Blendi Klosi tregon si do funksionojë pakoja e përbashkët e dy shteteve për turizëm
Muaji që po vjen hapë edhe zyrtarisht sezonin veror.
E shumë kosovarë do të marrin rrugën për të vizituar Shqipërinë, atje ku plazhe ka me bollëk.
Kështu Shqipëria do të ketë një numër të madh të turistëve kosovarë por edhe më gjerë.
Ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, tregon se shumë shpejt do të kenë një ofertë të përbashkët me Kosovën, raporton T7.
Pas përfundimit të sezonit veror, turistët do t’i drejtohen Alpeve shqiptare dhe maleve të Kosovës.
Ministri Klosi thotë se me ofertën e përbashkët të turizmit Kosova do të zhvillohet shumë e sidomos në turizmin dimëror.
Madje ai thotë se kjo nuk do të ndikohet aspak prej taksës rrugore.
Sipas tij kjo nuk duhet të shihet si pengesë për bashkëpunim mes dy shteteve, sepse siç thotë ai turizmi bashkon Kosovën dhe Shqipërinë.
Gjatë kësaj jave Klosi ka takuar krerë të ministrive të ndryshme në Kosovë, përfshi edhe Ministrin e ambientit, Fatmir Matoshi me të cilën u dakorduan për mbrojtjen e mjedisit.