Kryemadhi “ndihmon” SPAK-un, publikon certifikatën e bashkëshortit dhe mbiemrin NUK e ka Meta

Ish-kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, publikon certifikatën personale të bashkëshortit të saj, pas hetimeve që SPAK ka nisur për ish-presidentin. Aty bie në sy se mbiemri i tij nuk është Meta por Metaj.
“Partia e Lirisë ka vendosur ta ndihmojë SPAK-un. Që të mos i nxjerrë në punë me urdhër, që të firmosin shkresa të gatshme Endri Fuga, po ua mundësoj unë certifikatën personale të Ilir Metës, se si pamje e njihni edhe vetë. Do vazhdoj t’ju ndihmoj edhe për inceneratorët”, shkruan Kryemadhi dhe ndan foton e mëposhtme.
SOT, përveç Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, SPAK ka kërkuar informacion për ish-presidentin Ilir Meta edhe nga Gjendja Civile. Përmes një shkrese dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, SPAK kërkon të dijë gjeneralitetet e vërteta të Ilir Metës.
Ish-presidenti ka deklaruar më herët se mbiemri i tij i vërtetë është Metaj dhe jo Meta. Debati për mbiemrin e Metës u rihap pas deklaratës së Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. Në media u aludua gjerësisht se personi me inicialet I.M, që kishte bashkëpunuar me ish-Sigurimin ishte ish-presidenti Ilir Meta(j).