110 persona nën hetim për “zhdukjen” e Vis Martinajt/ Agjenti i Operacionales “kyç” gojën në Gjykatë: Do të flas në…

Gjykata e Kurbinit i komunikoi sot masën e sigurisë ‘arrest me burg’ Jeton Lamit, agjentit 28-vjeçar të forcave operacionale, i arrestuar dje për “shpërdorim detyre”.
Prokuroria pretendon se Jeton Lami nuk e ka përmbushur detyrën, por në shkelje të saj ka transportuar Ervis Martinajn, duke e ndihmuar të arratisej nga drejtësia. Nga ana e tij, Jeton Lami gjatë seancës gjyqësore ka refuzuar të japë shpjegime dhe ka thënë se do të flasë në një moment të dytë. Ndërkohë, avokatët kanë kërkuar lirimin e tij.
Arrestimi i tij erdhi pasi nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ka rezultuar se Lami ka shoqëruar me makinë Ervis Martinajn teksa ndodhej edhe një vajzë me ta. Ndërkohë Ervis Martinaj ka humbur kontaktet prej më shumë se dy javë më parë. Prokuroria e Kurbinit u vu në lëvizje pas kallëzimit të xhaxhait të Ervis Martinajt, Faikut i cili denoncoi humbjen e kontakteve me të.
Të gjitha përplasjet e tij me persona të ndryshme po hetohen nga policia e Prokuroria, ndërsa mësohet se janë të paktën 110 persona të dyshuar në përgjim. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në disa hotele e objekte. Në vetëm 2 kamera sigurie shfaqet Martinaj 3-4 ditë para se familja të denonconte zhdukjen e tij.