Humbi 4 djem dhe burrin në luftë, shteti i heq pensionin social gruas që është bërë sinonim i vuajtjes në Gjakovë
Gruaja që është bërë sinonim i vuajtjes në Gjakovë, Ferdonije Çerkezi, ka rrëfyer në emisionin “Blic Interview me Astrit Gashin” humbjen e gjithë familjes së saj nga forcat e ushtrisë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo ka thënë se nga shteti merr vetëm 250 euro në muaj, teksa shton se i është ndërprerë ndihma sociale.
“Unë marr vetëm 250 euro ndihmë nga shteti dhe kam një qira prej 150 euro. Me ato që marrë nga qiraja mbijetojë, por nga Qeveria apo Kuvendi nuk marrë asnjë ndihmë”.
“Kur kam filluar ta marrë këtë shumë më kanë ndërprerë pensionin social prej 65 euro në muaj, edhe pse e kam pasur të garantuar që ta marrë për 5 vjet, mirëpo e kam marrë për 3 vjet dhe tani ma kanë ndërprerë”.
Ajo ka thënë se për të mbijetuar e ndihmojnë edhe familjarët.
“Kam vëllezër që më ndihmojnë, disa në Gjakovë dhe Prishtinë. Njëherë për njëherë jam mirë. Kam dëshirë vetëm të më vizitojnë njerëzit. Kudo që shkoj nëpër mjek si në Gjakovë, ashtu edhe në Prishtinë më përkrahin nuk më lënë të presë”.
Çerkezi ka edhe probleme shëndetësore, por thotë se dhimbja më e madhe mbetet familja.
“Me shëndet, jam mirë, por brenda shpirtit jam copa-copa. Vuaj nga sheqeri, tensioni, dhimbje në trup, por edhe me dhimbje të mëdha familjare”, ka thënë ajo në Blic Interview.