Detaje të reja/ Ishte infiltruar në komandën e NATO-s në Itali: Spiunia ruse kishte për detyrë të mblidhte të dhëna për Kosovën!

Një nga detyrat e spiunes së fshehtë rusë në Itali, që kishte arritur të depërtonte deri në komandën e NATO-s, ishte mbledhja e informacioneve për Kosovën.
Sipas tabloidit britanik “DailyStar”, Maria Adela Kuhfeldt Rivera, e cila kaloi pothuajse dhjetë vjet duke krijuar lidhje miqësore dhe ndonjëherë romantike me stafin nga Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate dhe Flota e Gjashtë e SHBA në Napoli, Itali, ishte në fakt Olga Kolobova, agjente e shërbimit sekret ushtarak rus GRU.
Besohet se Kolobova po përdorte taktikën klasike të spiunazhit të njohur si “kurthi i mjaltit” për të mbledhur informacione rreth operacioneve të NATO-s në Kosovë, Irak dhe Afrikën e Veriut, thuhet në shkrim.
E reja e pasur dhe tërheqëse, e cila fliste disa gjuhë, magjepsi “një numër oficerësh të NATO-s” dhe në disa raste u ofroi të paguante për anëtarësimin e tyre në një klub të njohur në Napoli, për të mbajtur në këtë mënyrë kontakte të ngushta me ta. Kolobova u zhduk papritur nga Italia në kohën e helmimeve në Salisbury, duke u thënë miqve se ishte shumë e sëmurë dhe kishte vendosur të shkonte në Moskë për trajtim. Ajo vazhdimisht kishte pretenduar se kishte lindur në Peru dhe se babai i saj ishte gjerman.
Por verifikimet e gazetës italiane La Repubblica, në bashkëpunim me një ekip të revistës gjermane Der Spiegel dhe uebsajteve investigative Bellingcat dhe The Insider, treguan një realitet tjetër. Këto media përdorën softuer për njohjen e fytyrës dhe prova të tjera për të përcaktuar identitetin e vërtetë të gruas.
Për 10 vjet rresht, një agjente ruse ka arritur të infiltrohet mes personelit të bazës së NATO-s në Napoli, dhe në flotën e VI te marinës amerikane në Evropë.
Spiunia e ka jetuar prej vitesh në Napoli ku ka arritur të miqësohet me anëtare të aleancës veri-atlantike e të depërtojë në radhët e saj, shkroi dje gazeta italiane La Republica.
Hulumtimi tregon se ajo që njihej si “Maria Adela” e kishte marrë në fakt pasaportën e saj të parë ruse në 2006. Historia që ajo u paraqiste të njohurve të vet ishte se nëna e saj beqare kishte udhëtuar me të nga Callao e Perusë në Bashkimin Sovjetik në vitin 1980, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Moskë.
Por pastaj kishte marrë një mesazh urgjent për t’u kthyer në shtëpi, e gjoja e kishte lënë vajzën në kujdesin e një familjeje sovjetike.
Repubblica shkruan ndër të tjera se “Gruaja tek të 30-tat është mjaft e sofistikuar: ajo flet 6 gjuhë të huaja dhe fillimisht ngriti një kompani për prodhimin e bizhuterive, më pas hyri në shoqërinë e lartë të Napolit e në fund, arriti të depërtonte në stafin e NATO-s”.
“Një Mata Hari moderne, e cila dallohej edhe për metodat e të saj të joshjes dhe arriti të depërtojë deri në komandat që drejtojnë misionet e aleancës ushtarake dhe aktivitetit të marinës amerikane në Europë”, thonë gazetat.
Në 2018-tën, gruaja vendosi te merrte papritur një fluturim nga Napoli drejt Moskës, dhe nuk u shfaq më.