Stërvitja e Ushtrisë serbe në kufi, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës nis trajnimet me sistemet e reja të armatimit

Ministria serbe e Mbrojtjes njoftoi sot se forcat e armatosura të saj po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo stërvitje vjen në ditën kur ka nisur zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit ndërmjet dy vendeve.
“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara dhe aftësisë së tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, theksohet në deklaratën e ministrisë së Mbrojtjes.
Mirëpo, duket se edhe Kosova nuk po e sheh në heshtje këtë stërvitje të trupave serbe. Ministri Armend Mehaj, ka ndarë në profilin e tij disa foto nga trajnimi intensiv që po zhvillon Forca e e Sigurisë së Kosovës, me pajisjet dhe sistemet e reja të armatimit.
“Ushtria e Republikës së Kosovës e gatshme për çdo mision ushtarak. Në kuadër të përgatitjeve për ushtrimet e rradhës, Regjimenti i parë i Këmbësorisë është në fazën Intenzive të trajnimit dhe përgatitjes së njësive të saj.
Trupat e R1K janë duke kryer trajnim me sistemet e reja të armatimit me të cilat është pajisur FSK së fundi, me fokus operacionet e mbrojtjes dhe sulmit në nivel Skuadre, Togu dhe Kompanie. Trajnimet e vazhdueshme, bashkëpunimi dhe vullneti i ushtrisë së Republikës së Kosovës, janë tregues të gatishmërisë për pjesëmarrje në çdo mision të NATO-s”, shkruan ministri Mehaj dhe ndan disa foto.