Zbulimi i rezervës së naftës nga SHELL, Rama: Po studiohet kosto e nxjerrjes pasi është në një shtresë të thellë

Kyeministri Edi Rama thotë se Shqipëria ndodhet në “kushte të vështira” për shkak të krizës energjitike që ka prekur Europën, ndaj ai kërkon “durim, mbështetje dhe bashkëpunim”.
I pyetur në deklaratën për media gjatë samitit të “Open Balkan” lidhur me zbulimin e një depozite të madhe të naftës nga gjiganti SHELL, Rama tha se kompania është duke realizuar një studim për të parë sa janë kostot e nxjerrjes së naftës në sipërfaqe, pasi ndodhet në një shtresë të thellë.
Rama u shpreh se ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës dhe përshtatja e TEC-it të Vlorës me gaz të lëngshëm, do të lehtësonte ndjeshëm situatën energjitike në vend.
Pjesë nga deklarata e Ramës:
Kjo sasi e madhe gazi dhe nafte e zbuluar nga kompania Shell, është në një analizë të komercializimit, pasi duke qenë në një shtresë të thellë bëhet një analizë e kostos së nxjerrjes mbi tokë. Ne jemi 100% energji e gjelbër, bazohemi tërësisht në kapacitet tona hidrike, ndërkohë që Serbia bazohet në termo dhe na nevojë për qymyr. Dhe në kushtet kur krijohet mundësia e shkëmbimit, kjo mund të jetë një mundësi e mirë. Sa i përket gazit, kemi një mundësi të rëndësishme në Portine Vlorës për ta transformuar hyrjen në një terminal të lëngshëm, dhe për të krijuar mundësinë që në TEC-in e Vlorës të mund të prodhohet energji përmes terminalit.
Duke ndërtuar hidrocentralin e ri, që jemi në proces, që do të jetë dhe depozitues i një sasie të rreshjeve, edhe gazin e lëngshëm në gjithë strukturën, ne do të jemi në kushte shumë më të mira, sot ne jemi në kushte të vështira si gjithë të tjerët. Kemi nevojë për durim, mbështetje dhe bashkëpunim.