Aksioni në Veri të Kosovës, përplasje Rusi-BE

Reagon Brukseli – nuk ka vërejtje për arrestimet e sotme

Bashkimi Evropian ka ftuar për përmbajtje Prishtinën dhe Beogradin pas operacioneve të policisë së Kosovës me kërkesë të organeve të drejtësisë.

Maja Kocijanciq, zëdhënëse në BE-së, në një reagim për media, ka thënë se “sigurimi i sundimit të ligjit, përfshirë edhe presupozimin e pafajësisë, është një objektivë që BE-ja fuqishëm e mbështetë”.

“Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet. Operacionet e tilla duhet të riforcojnë e jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, ka thënë ajo.

Në reagimin e BE-së thuhet se “fuqishëm besojnë se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm për të gjithë aktorët duke respektuar në tërësi marrëveshjen e Brukselit”.

“Operacioni policor në Mitrovicë i drejtuar ndaj të dyshuarve individualë nga i tërë rajoni dhe nga pjesët tjera të Kosovës, duke ndjekur urdhrat e Gjykatës, duhet të zbatohet në përputhje me ligjin dhe të komunikohet në mënyrë të duhur. Ne jemi në kontakt me lidershipin në Prishtinë dhe Beograd dhe kemi bërë thirrje për përmbajtje maksimale” , thuhet në reagim.

Më parë Bashkimi Evropian po ashtu ka tërhequr vërejtjen për nivelin e lartë të krimit të organizuar në Kosovë, por edhe në vendet tjera të rajonit.

Rusia reagon pas arrestimeve në pjesën veriore

Pas aksionit të Policisë së Kosovës në Veri të territorit të Republikës së Kosovës, ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, duke thënë se arrestimi i disa serbëve në veri të Kosovës është një provokim që po e bënë Kosova.

Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, ka thënë se këto veprime të palës kosovare po vijnë se pasojë e mos reagimit të BE-se dhe SHBA-së.

“Zyrtarët e Kosovës tash janë mësuar që askush nuk reagon ndaj provokimeve të tyre”, ka thënë ajo.

Sipas tyre ky moment i ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në Veri, është zgjedhur pikërisht në kohën kur presidenti serb, Aleksander Vucic, po fliste në parlamentin serb për çështjen e Kosovës.

“MPJ e Rusisë u bënë thirrjeve udhëheqësve ndërkombëtare në Prishtinë, që të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”, thuhet ndër të tjera.

Zakharova ka thënë se kjo ndërhyrje e forcave speciale të Kosovë në komunat serbe dërgon në “përshkallëzim të tensioneve ndëretnike, që privojnë përpjekjet shumvjeçare të komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur në mënyrë paqësore gjithë konfliktin”.

Gjatë aksionit të PK-së në veri, është arrestuar edhe një shtetas rus, i cili është punëtore i misionit të UNMIK-ut./GazetaExpress/

Back to top button
LAJMET E FUNDIT