“Jemi gati në një shpallje lufte”, Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin, flet eksperti i sigurisë

Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin të mërkurën pasi u zbulua se Irani qëndron pas sulmeve masive kibernetike më 15 korrik.
Këto sulme kanë synuar që të paralizojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë. Edhe SHBA konkludon se përgjegjës për sulmin kiberbetik ndaj Shqipërisë është Irani. Shtëpia e Bardhë në një reagim të saj e quan përgjegjës Teheranin për këtë sulm kibernetik kundër një aleati të NATO-s.
Fabian Zhilla, Pedagog dhe Ekspert Sigurie, u shpreh se Shqipëria është gati në shpallje lufte me Iranin. Sipas tij ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, do të thotë që ka ngelur vetëm sa të themi që u kemi shpallur luftë. Ai ka shtuar që sulmi ka ardhur për të penguar ceremoninë e Samitit të muxhahedinëve të MEK.
“Irani është fuqia e 4 në botë për fuqinë kibernetike. Ka ekipet e saj të sponsorizuara. Sulmi u bë për të treguar që të mos lejohet festa e MEK. Ne jemi gati në një shpallje lufte me Iranin. Ka ngelur vetëm sa ta themi.” tha eksperti, Zhilla.