Lubonja: Të nisin protestat, Rama tallet me ndihmën që ju jep shqiptarëve. Nuk e di si durojnë

Fatos Lubonja ka komentuar paketën anti-krizë të qeverisë, duke thënë se qeveria për të evituar destabilizimin mund të shtojë agresivitetin dhe dhunën.
Në një intervistë për News24, Lubonja u shpreh se kjo është një situatë alarmante dhe se duke parë rrogat në vend, do të jetë shumë e vështirë të përballohet nga shqiptarët.
“Shtimi i pagimit të asaj që kemi paguar për një pjesë të madhe të shqiptarëve, më duket një lajm alarmant. Nuk e di se si do ta bëjnë shqiptarët, ta bëjnë këtë në krahasim me rrogat apo pensionet. Alarmant sepse është vështirë që ta imagjinoj se kjo mund të durohet kështu lehtësisht.
Frika tjetër që mendoj është që për të evituar destabilizimin mund të shtohet agresiviteti i qeverisë apo dhuna. Më e rrezikshme më duket fakti se në këtë situatë nuk mund të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, por me rëndësi është qasja e qeverisë ndaj kësaj dhe se si i qaset publikut qeveria”, tha Lubonja, duke shtuar:
“Ne kemi një kryeministër gjinkallë që vetëm këndon dhe nuk ka punuar për Shqipërinë që të ketë rezervë, por harxhon 4 mln për instalacion me gjethe, ke edhe një gjuhë arrogante që mendon se me dhunë e polici do ta ndalojë, por sa e kanë rrogën ato policët?”, tha më tej Lubonja.
Ndër të tjera, Lubonja tha se në këtë kohë krize diçka duhet bërë, por duhet parë se si organizohen gjërat.
“Duhet të kishte pasur rezerve, por nuk është punuar. Ne ishim ata që do çonim në satelitë në orbitë, por duhet diçka e mirë menduar mirë, me qytetarë dhe opozitë, por shohim diçka sa për të mbuluar problemet.
Politika e Ramës ka qenë mohimi i problemeve. Kjo do jetë një situatë ku nuk do të ecë dot. Unë gjithmonë kam qenë për protestat. Ne kemi një qeveri gjithmonë arrogante.
Mendoj se krahas protestave opozita duhet të ndërtojë projekte bindëse. Një gjë është të denoncosh apo demaskosh, por ndërtimi i projekteve të besueshme ka qenë më e vështirë”, tha Lubonja.