Letra e Mit’hatit për Zervën: Federatë pas Lufte, komanda ushtarake Athinës

Flet deputeti Spartak Braho/ Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti Braho, dje botuam disa dokumente autentike që dëshmonin krimet e Ballit Kombëtar gjatë luftës. Më thatë se dispononi edhe dokumente të tjera në arkivin tuaj që tregojnë sa bashkëpunimin e Ballit me pushtuesit aq edhe tradhtinë e tij ndaj çështjes kombëtare. Mund të na tregoni ndonjë prej tyre?

– Nuk është aspak e vështirë të gjenden dyzina dokumentesh për kolaboracionizmin e Ballit dhe se si ai rrëshqiti në tradhti të hapur. E di që kolegut tim deputet, kryeballistit të tanishëm Adriatik Alimadhi, nuk i vjen mirë dhe thartohet kur ia kujtojmë këto. Por, punë e madhe! Unë do t’ia them një për një që të paktën ballistët e rinj që nuk e dinë historinë të mos gënjehen këtej e tutje. E ja, le të fillojmë. Është e njohur për të gjithë prej vitesh marrëveshja e turpshme Dalmaco-Këlcyra. Bëhet fjalë për marrëveshjen e bërë midis Ali Këlcyrës dhe Nuredin Vlorës, nga njëra anë, anëtarë të KQ të Balli Kombëtar që përmes ndërmjetësimit të kryeministrit të asaj kohe Maliq Bushati kryen bisedime më 15.03 1943 me kryekomandantin italian të forcave pushtuese në Shqipëri Renzo Dalmazo. Në pikën e parë të kësaj marrëveshjeje thuhet: “Ne sigurojmë, duke marrë  çdo përgjegjësi, shkëlqesën Dalmaco, komandant eprorë i fuqive të armatosura të Shqipërisë se asnjë  lëvizje  kryengritëse  me karakter  të  përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore…” Kjo është konsideruar një marrëveshje e turpit të Ballit Kombëtar, ndërkohë që pas disa muajsh Italia fashiste do të kapitullonte. Balli Kombëtar kishte kapitulluar para Italisë. Por kemi edhe një sërë marrëveshjesh të tjera të ngjashme jo vetëm me italianët, por edhe me pushtuesit gjermanë që erdhën pas tyre.

– Neoballistët e sotëm por edhe historianë të Ballit i nënvlerësojnë ose bëjnë sikur i harrojnë këto marrëveshje, duke marrë kurajo nga nderimi që Kryeministri Rama i bëri kryekolaboracionistit Mit’hat Frashëri, ndërsa trumbetojnë se Kryetari i Ballit Mit’hat Frashëri ka qenë dhe mbetet një figurë e pastër, që nuk bashkëpunoi me pushtuesit dhe kot hidhet baltë mbi të. A e pranoni ju këtë logjikë?

– Logjikë më absurde nuk mund të gjendet. Unë këtu po flas për disa enigma dhe punë të pista të Mit;hat Frashërit dhe të Ballit Kombëtar, ndërsa qëndrimin e Edi Ramës do ta quaja një kolaboracionizëm modern me neoballistët dhe neofashistët, përderisa ai vazhdon të financojë një institut neofashist si ai i Tufës. Si mund të pranohet që Balli ka bashkëpunuar me pushtuesit, por kryetari i Ballit jo? Mit’hat Frashëri ka qenë kryekolaboracionisti dhe tradhtari numër Një i Ballit dhe ai mban përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera nga Balli gjatë luftës. Unë sot do të merrem vetëm me Mit’hat Frashërin dhe do të sjell një dokument autentik me firmë e me vulë nga Mit’hati ku dëshmohet hapur tradhtia e tij. (Shiko faksimilen dhe tekstin e transkriptuar). Bëhet fjalë për një letër që Mit’hati i dërgon partisë nacionaliste të Napoleon Zervës në Greqi në maj 1944. Sikurse shihet qartë në këtë letër, politika e Ballit ka pasur një vijimësi të pandryshueshme në bashkëpunimin me pushtuesit dhe kundër interesave kombëtare. Kjo është një letër tepër demaskuese për kryeballistin Mit’hat Frashëri.

– Le të ndalemi pak këtu, pra te kjo letër që sapo përmendët. Pse është demaskuese për Mit’hatin kjoletër?

– Kjo është një tjetër letër që Mithat Frashëri (pasi ka edhe letra të tjera) i dërgonte Dhimitër Fallos, në maj të vitit 1944, i kërkonte të jepte ndihmesën e vet për krijimin e një aleance të mundshme me Greqinë. Për realizimin e saj ngarkohej një delegacion. Balli Kombëtar u përfaqësua nga Dhimitër Fallo, qeveria nga Xhavit Leskoviku, partia zogiste dërgoi Koço Kotën, ndërsa Kosova u përfaqësua nga Selman Riza. Bashkë me Fallon, si përfaqësues i Ballit do të bënte pjesë edhe Koço Tasi, i cili u arrestua në 1944 dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat e kohës. Mithat Frashëri nënvizonte se me Tasin “kemi afro tre vjet që jemi në relata shumë të mira”.

Kjo letër që po botojmë sot është shkruar nga kryeballisti Mit’hat vetëm disa ditë përpara se në Përmet të mblidhej Kongresi historik që vulosi fitoren e lëvizjes sonë antifashiste mbi pushtuesit dhe veglat e tyre brenda vendit. Por Mit’hati me këtë letër dëshmon se jo vetëm nuk ka bërë asnjë tërheqje deri në fund por është thelluar në rrugën e tradhtisë dhe të shitjes së interesave kombëtare… Kjo tregon miopinë dhe mbrapshtinë politike të kreut të Ballit. Ai, pra Mit’hati në atë kohë ishte në pushtet, në qeverinë kuislinge me nazistët dhe nuk e kuptonte, ose nuk donte të shihte se fundi i nazizmit ishte shumë i afërt. Dhe ai donte të ishte sërish në pushtet edhe pas luftës që po mbaronte dhe për këtë i kërkonte aleancë krahut më reaksionar dhe më antishqiptar grek.

Është vërtetë për të ardhur keq që, ndërsa i ati i Mit’hatit bëri Lidhjen e Prizrenit dhe është një nga atdhetarët tanë më të mëdhenj që shkriu gjithë jetën për unifikimin e kombit dhe çlirimin e tij nga zgjedha e pushtuesve, i biri i tij, bëri të kundërtën: bashkëpunoi me pushtuesit dhe kërkonte bashkim me Greqinë. A ka turp më të madh?

– Si mund ta provoni këtë?

– Në këtë letër-dokument duket qartë se në maj të vitit 1944, Mit’hati kërkonte të jepte ndihmesën e vet për krijimin e një aleance të mundshme me Greqinë. Ja pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje që donte të lidhte kryetari i Ballit:

-Çështja e krijimit të një federate, e cila do të varej nga mundësitë që krijoheshin mbas luftës. Të dy palët merrnin angazhim se ishin të gatshme të punonin për realizimin e këtij projekti.

-Baza e lidhjes do të qe independenca dhe sovraniteti i plotë i të dyja palëve.

-Kufijtë greko-shqiptarë do të mbeteshin ata të vitit 1939 dhe kjo do të deklarohej solemnisht.

-Merrnin përsipër të bënin aleancë mossulmimi, defensive dhe ofensive, si dhe lidhje ushtarake.

– Të lidhnin traktate ekonomike midis të dy palëve.

-Do të përpiqeshin që kjo lidhje të bëhej sa më parë, një lidhje greko-turko-shqiptare.

-Në rast lufte, komanda e përgjithshme ushtarake do të lihej në dorë të Greqisë.

Vëreni me kujdes pikat e kësaj marrëveshje. Kërkon krijimin e një federate me Greqinë, ku komanda e përgjithshme ushtarake do të lihej në dorë të Greqisë. A nuk është kjo një tradhti e hapur?

– A ka dijeni kryeballisti Alimadhi për këtë marrëveshje të paraardhësit të tij të kohës së luftës?

– Me siguri. Kjo marrëveshje njihet por ka interpretime të ndryshme. Ata, pra ballistët e justifikojnë me nacionalizmin dhe zemërgjerësinë e Mit’hatit dhe sidomos me luftën kundër komunistëve. Ndërsa historianët seriozë e të paanshëm e kanë quajtur këtë një akt të pastër tradhtie dhe të shitjes së interesave kombëtare. Me këtë marrëveshje fshihet përfundimisht Çamëria e cila sipas Mit’hatit i takon Greqisë dhe është greke. Të mos harrojmë se në kohën që Mit’hati bënte këtë marrëveshje me zervistët në Greqi, në Çamëri po kryheshin masakrat më të përgjakshme të spastrimit etnik nga bandat e Napoleon Zervës.

– Pse e kërkonte Mit’hati këtë marrëveshje?

– Mit’hati, si edhe në vitet e mëparshme edhen kohën e luftës ka ecur dhe vepruar kundër rrjedhave të historisë. Shkaku pse Mithat Frashëri i besonte një aleance të tillë për krijimin e një federate greko-shqiptare, lidhej me faktin se shqiptarët dhe grekët i përkasin një race. Por shtohej që “kjo lidhje të bëhej sa më parë, një lidhje greko-turko-shqiptare”. Kjo vërteton edhe njëherë se Mit’hati ishte sa grekofil, aq edhe një turkoshak nostalgjik, gjë që e kishte dëshmuar në të gjithë karrierën e tij. Me të drejtë Prof. Xhevat Lloshin e ka quajtur Mit’hatin kuislingun xhonturk në Kongresin e Manastirit më 1908, pasi ai ishte dhe këmbëngulte që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin e Stambollit. Më tej kemi rolin që ka luajtur Mit’hati pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke u radhitur në krah të Esat Pashës kundër Ismail Qemalit… Nuk është vendi këtu të përmenden të gjitha bëmat e mbrapshta të Mit’hatit. Jemi në periudhën e luftës, jemi në mbarim të luftës dhe Mit’hati bën një marrëveshje të turpshme me grekët e Napoleon Zervës. Prandaj pati edhe atë fund që pati duke u zhytur gjithnjë e më shumë në llumin e tradhtisë kombëtare. Kjo u vërtetua shumë mirë edhe pas arratisjes së tij në nëntor 1944. Ai u arrestua nga italianët si kriminel lufte dhe u dënua si i tillë. Pastaj u vu në krye të komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe punoi ethshëm kundër vendit të tij…

Letra

SHQIPËRIA E SHQIPTARVE

VDEKJE E TRADHTARVE

Balli Kombëtar

Shqipni e Lirë, 10. 5 1944

Komiteti Qendror

Numri 191/7

Zotit Dhimitër Falo    Selanik

I dashuni Zoti Falo,

Letrat e juaja të shkruese më 10 edhe më 23 të Prillit i muerëm. Ju falemi për gjithë sa keni bamë deri më sot edhe kemi shum shpresë që me aktivitetin t’uej të gjejnë  nji përfundim të mirë tratativat për marrëveshje.

Z. Xhavit Leskoviku, qi u nis për në Athinë, pa dyshim ka pjekun me ju dhe ju ka dorëzue nji fond të vogël qi kishte marrë për Zotninë e juej. Simbas projektit qi kemi, zotnija e juaj do të jeni përfaqësues i Ballit Kombëtar, Z. Xhavit Leskoviku i Qeverisë, z. Koço Kota i Partisë Zogiste, Z. Selman Riza i Kosovës. Bashkë me zotninë t’uej do të jetë, si përfaqësues i Ballit, edhe z. Koço Tasi,me të cilin që afro tre vjet jemi në regata shum të mira. Bashkë me këtë letër po ju dërgojmë pasaportën si edhe letrën t’onë të përfaqësimit.

Vimë tash te pikat mbi të cilat do të jetë bazue marrëveshja e jonë:

  1. Mbasi çështja e lidhjes në formë federative, varet nga mundësitë e mbasluftës, prandaj të dy palët marrin angazhimin që sot se janë të gatshme të disponuam për realizimin e këtij projekti.
  2. Baza e lidhjes do të jetë independenca dhe sovraniteti i plotë i të dyja palëve.
  3. Kufijtë greko-shqiptarë do të jenë ata të vitit 1939 dhe do të deklarohen solemnisht.
  4. Bajmë aleancë mossulmimi, defensive dhe ofensive, si dhe lidhje ushtarake.
  5. Traktate ekonomike ndërmjet të dy palëvet.
  6. Do të përpiqemi qi kjo lidhje të bëhej sa ma parë, një lidhje greko-turko-shqiptare.
  7. Në rast lufte, komanda e përgjithshme ushtarake do të vihet në dorë të Greqisë.
  8. Si rezultat i kësajë marrëveshjeje, të dy palët do të paraqiten përpara konferencës së paqes si dy palë me nji të vetëm interes, tue përkrahun politikën e shoku-shokut. Greqija do të angazhohet të mbështesi rivendikimet Shqiptare për Kosovën dhe anën e Dibrës, qëkështu në kohën e ardhshme të mund t’i bahet ballë rrezikut sllav, qi kërcënon të dy palët, dhe rezikut qi vjen nga ana e tjeme e Adriatikut.
  9. Në qoftë se zihet me gojëçështja e minoriteteve, kjo mund të jetë ma fort nji mjet afrimi ndërmjet të dy palëvet se sa nji mjet largimi. Për përdorimin t’uej, t’a kini ndermend se minoritetet duhet t’i kqyrim me sy të mirë të dy palët edhe të kenë të drejtat e tyne.

Të fala

Kryetari

Midhat Frashëri

Back to top button
LAJMET E FUNDIT