Kush do e marrë pasurinë? Bota mund të mos e mësojë kurrë përmbajtjen e testamentit të Mbretëreshës Elizabeth II

Qytetarët britanike dhe bota nuk do ta mësojnë kurrë se çfarë përmbajtje ka testamenti i Mbretëreshës Elizabeth.
Me ndarjen nga jeta të monarkes 96-vjeçare, dëshira e saj e fundit duket se do të mbetet mister, për shkak të një tradite të vjetër të familjes mbretërore, e cila kërkon që ky dokument të vuloset dhe të mbahet në një kasafortë për të paktën 90 vite.
Praktika, e vulosjes së testamenteve të anëtarëve të familjes mbretërore, daton në vitin 1910 dhe filloi me princin Françesku. Testamenti i tij është një nga 30 testamentet e tjera që mbahen në një vend të pazbuluar në Londër, nën mbikëqyrjen e një gjyqtari. Tradicionalisht, pas vdekjes së një anëtari të familjes mbretërore, ekzekutuesi i testamentit i drejtohet Gjykatës Familjare të Gjykatës së Lartë në Londër, duke kërkuar vulosjen e tij.
Detajet ishin praktikisht të panjohura deri në vdekjen në prill 2021 të Princit Philip, bashkëshortit të mbretëreshës. Gjyqtari Andrew McFarlane u caktua më pas të shqyrtonte kërkesën për vulosjen e testamentit. Gjyqtari pranoi kërkesën, por vendosi ta bëjë publik vendimin e tij në mënyrë që publiku të dijë se çfarë po ndodhte dhe pse.
“Shkalla e publicitetit që do të sillte botimi do të ishte shumë e gjerë dhe krejtësisht në kundërshtim me qëllimin e ruajtjes së dinjitetit të monarkut“, shkruante ai në atë kohë, duke shtuar se është e nevojshme të mbahet sekret përmbajtja e testamentit në mënyrë që monarku të përmbushë rolin e tij kushtetues.
Gjykatësi zbuloi ekzistencën e një kasaforte në të cilën mbahen testamentet. Ai theksoi se nuk e di përmbajtjen e dokumenteve të vulosura. Ndër të tjera, kasaforta përmban testamentin e Princeshës Margaret, motra e Elizabeth II, e cila vdiq në vitin 2002. Testamenti i Margaretës ishte në vitin 2007 në qendër të një mosmarrëveshjeje ligjore kur një burrë, Robert Brown, pretendoi se ishte djali i saj i paligjshëm dhe ai donte të merrte në dorë dokumentin për të vërtetuar pretendimin e tij. Gjykatat e refuzuan kërkesën si “absurde” dhe atij iu mohua qasja.
Princi Françesku, testamenti i të cilit është më i vjetri i ruajtur në kasafortë, vdiq në vitin 1910 në moshën 40-vjeçare. Ai ishte vëllai më i vogël i Mbretëreshës Mari, gruaja e mbretit George V dhe gjyshja e Elizabeth II.