Përçarjet e qeverisë dhe opozitës në Shqipëri mbi raport-progresin
Opozita dhe qeveria në Shqipëri kanë qëndrime të kundërta për raport-progresin e KE. Qeveria e premt me entuziazëm, ndërsa opozita me skepticizëm.
Rekomandimi pozitiv, pa kushte, i Komisionit Europian, (KE) të mërkurën (29.05.2019), drejtuar Këshillit Europian të BE, për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, është pritur me entuziazëm nga qeveria dhe skeptizicëm nga opozita, e cila parashikon madje refuzimin.
Ky është i treti rekomandim që jep për Shqipërië KE, duke filluar nga viti 2017. Ambasadori i BE, Luigi Soreca, e konsideroi të mërkurën rekomandimin e këtij viti, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, “një gur kilometrik shumë të rëndësishëm, të arritur nga Shqipëria”.
Për Ramën, KE dha rekomandimin sepse “Shqipëria ka bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë. Komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte, shifra dhe analiza ka rekomanduar përsëri hapjen zyrtare të negociatave,” tha kryemnistri në konferencën për shtyp.
Por opozita jashtë sistemit politik, që hoqi dorë nga mandatet parlamentare në shkurtin e kaluar dhe që atëhere vazhdon protestat në rrugë dhe sheshe për të larguar kryeministrin Rama dhe rrëzuar qeverinë e tij, të akuzuar prej saj për korrupsion dhe lidhje me krimin, mendon ndryshe.
Berisha, ish-lideri i Partisë Demokratike, (PD) shkruan në median sociale se “Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e kërkuara. Këshilli Europian do të votojë për hapjen e negociatave kur ato të plotësohen, diku nga fundi i vitit 2020, për të mos thënë edhe më vonë”.
Ndërsa Basha, lideri aktual i PD, shprehu të mërkurën bindjen se “Këshilli Europian do të votojë në qershor për moshapjen e negociatave me Shqipërinë.
Ky është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane,” tha Basha.
Të njëjtin qëndim mban edhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), që është bashkuar me të djathtën opozitare. Klajda Gjosha, ish-deputete e kësaj partie dhe ish-ministre e Integrimit Europian, vuri në dukje se “sot për sot janë katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër”.