Pas deklaratës së CDU/CSU, Basha e Meta vizitë në Gjermani

Pasi një deklaratë e fortë mbërriti nga Gjermania, grupi më i madh parlamentar, CDU/CSU qartësoi se vendimi për Shqipërinë do të merret në vjeshtë dhe për këtë vendim janë pajtuar edhe socialdemokratët e SPD.

Mbi të gjitha, CDU/CSU thotë se informacionet për të marrë vendimin e tyre do i marrin jo vetëm nga progres-raporti, por edhe nga burime të tjera.

Interesant është fakti se ndërsa në progres-raport theksohet fakti që reforma në drejtësi është ajo që i jep peshën vendimtare rekomandimit për nisjen e negociatave, gjermanët janë skeptikë. Sipas CDU/CSU, Shqipëria nuk ka një sistem gjyqësor funksional.

Në fund, gjermanët e CDU/CSU bëjnë thirrje për dialog dhe sërish vetëofrohen për negociata, duke thënë se asnjë temë nuk duhet të jetë tabu.

Ndërkohë lëvizje duket se do ketë edhe në Gjermani.

“Javën e ardhshme në Gjermani pritet të vijnë një sërë politikanësh nga Ballkani Perëndimor, ndër ta edhe kreu i opozitës së Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Vizitat e tyre janë jozyrtare, por nuk përjashtohet mundësia që të flitet për mundësitë e ndihmesës gjermane për kapërcimin e krizës në Shqipëri. Vizita më e rëndësishme javës së ardhshme në lidhje me Ballkanin Perëndimor, pritet të jetë megjithatë ajo me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të enjten paradite do të takohet me kancelaren Angela Merkel”, shkruan DW.

Raportohet se Basha do të udhëtojë drejt Gjermanisë në 3 qershor, një ditë pas protestës së 2 qershorit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT