Rrëfim pas hekurave: Pres me gjakftohtësi ballafaqimin me Berishën

Avokati Idajet Beqiri që ka marrë përsipër të mbrojë Izet Haxhinë në rigjykimin e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit në shtator 1998, në këtë intervistë për DITA-n flet për “të vërteta të ndrydhura ende prapa hekurave”.

Çfarë i ka rrëfyer Izet Haxhia avokatit të tij dhe pse gjyqi që rihapet më 18 qershor do të sjellë sipas tij, të paprituta për të gjithë.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti avokat, lexuesit janë të interesuar për procesin e Izet Haxhisë, mbrojtjen e të cilit ju keni marrë përsipër ta bëni. Kur do të hapet ky proces dhe sa jeni optimist për vënien në vend të një drejtësie të munguar prej më shumë se 20 vjetësh?

– Procesi është hapur. Kam vënë re se rihapja e gjyqit për vrasjen e Azem Hajdarit, për të cilën akuzohet klienti im, është mirëpritur në opinionin shqiptar. Madje është i mezipritur. Unë mendoj se rigjykimi i kësaj çështjeje do të shërbejë edhe si një provë shumë konkrete se diçka pozitive po ndodh në këtë vend. Flas për sistemin e drejtësisë që është një nga shtyllat kryesore të drejtësië në demokraci. Është një gjë shumë e mirë kjo që drejtësia e re do të japë provën e saj të rëndësishme të reformimit me rigjykimin e vrasjes së Azem Hajdarit. Fakti që çështja do të gjykohet në Gjykatën e apelit me pranimin e kërkesës së Izet Haxhisë për riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen e shumë provave me rëndësi për procesin, është një arritje e dukshme që duhet vlerësuar. Në datën 18 qershor do të kemi një seancë gjyqësore. Do të prezantohet trupi gjykues dhe do të paraqesim ne disa kërkesa që janë shumë të vlefshme për ecurinë e procesit. Jemi të bindur për suksesin. Jemi të bindur sepse suksesi në këtë proces lidhet ngushtë me të vërtetën. E vërteta është se Izet Haxhia nuk është bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Dje këtë të vërtetë e manipuloi manipulatori më i madh i të gjitha kohërave në Shqipëri, Sali Berisha, personi i vetëm i interesuar që ky proces të manipulohej. Sot jemi në një situatë më të favorshme për të zhvleftësuar manipulimin që është bërë aq këmbëngulshëm për vite e vite me radhë dhe ku janë dënuar njerëz të pafajshëm, por jo autorët e asaj vrasjeje që tronditi Shqipërinë 21 vite më parë.

– Pavarësisht opinionit të përhapur se e vërteta anon në anën e kundërt të asaj që është vendosur njëzet vite më parë nga gjykatat shqiptare, cilat mendoni se janë pikat më të forta në favor të Izetit në këtë proces?

– Unë, duke shqyrtuar me imtësi dosjen përkatëse, si dhe nga kontaktet me klientin tim, mendoj se pikat më të forta janë provat e shumta që ai ka lidhur me gjënë më kryesore të këtij procesi. Kryesorja e kryesores, e cila të çon më shpejt dhe më bindshëm tek e vërteta e vrasjes së Azem Hajdarit, tek frymëzuesit, nxitësit,  organizatorët, ekzekutorët, ndihmësit, është se kush ishte më i interesuari për vrasjen e Azem Hajdarit dhe përse… Këtu do të fillojë të zgjidhet lëmshi…

– Avokat, Izeti ka folur vazhdimisht publikisht për pafajësinë e tij. A ka fakte të reja Izeti që e favorizojnë pozitën e tij?

– Këtë do ta provojmë në gjyqin e radhës. Prova dhe fakte të reja ka shumë. Ato nuk u lejuan të zbuloheshin dhe të përdoreshin në gjykimin e këtij procesi për shkak të manipulimit që iu bë gjithë procesit. Manipuluesi potent Sali Berisha, edhe me ndihmën e mbeturinave të Bashkim Gazidedes, të cilat i komandonte atëherë, pati fuqinë të fuste këtë proces në një drejtim të mbrapshtë, ku u shmangën nga përgjegjësia penale frymëzuesit dhe  organizatorët e vërtetë të vrasjes së Azem Hajdarit dhe ku u bënë “kokë turku” pikërisht ata që nuk kishin dorë në vrasjen e Azem Hajdarit, por dinin shumë dhe provonin shumë rreth kësaj vrasje.

– Përballja më e rëndësishme do të jetë ajo me Sali Berishën, të cilin Izeti e akuzon shumë rëndë për vrasjen e Azem Hajdarit. Çfarë thotë Izeti për këtë përballje të mundshme?

– Roli i Berishës në ekzekutimin e Azem Hajdarit është evidentuar qartazi prej Izet Haxhisë. Është një libër i tërë ku Izeti është rrëfyer për këtë çështje. Unë e besoj atë rrëfim dhe besoj se ai libër do të jetë shumë i rëndësishëm në procesin që do të zhvillohet. Problemi është se Sali Berisha, megjithëse ishte një ndër dëshmitarët kyç të këtij procesi, nuk iu nënshtrua ligjit për të dhënë dëshminë e tij në Prokurori dhe në Gjykatë. Ai i është shmangur si djalli nga temjani një ballafaqimi të mundshëm me rrethin e personave që ndihmuan dhe ekzekutuan Azem Hajdarin. Ai, duke e ditur që para të vërtetës , sado përsosmëri të ketë manipulimi dhe alibia, tradhtia në elaburimin e atyre gjërave që nxjerr nga goja, është evidente, mënjanoi kategorikisht përballjen në Prokurori dhe në sallën e gjyqit. Tashmë nuk e ka këtë “luks”. Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Pasi të merren shumë prova direkte dhe indirekte, natyrshëm do të mbërrihet tek dëshmia e Berishës, i cili më në fund do të flasë. Dhe sido që të flasë, direkt apo indirekt ai do e ndryshojë natyrshëm pozitën e Izet Haxhisë në këtë gjykim. Manipulimi i ka këmbët e shkurtra. Edhe më të shkurtra do t’i bëhen gjatë këtij gjykimi. Ndaj Izet Haxhia më ka thënë se e mirëpret me shumë gjakftohtësi ballafaqimin me dëshmitarin Sali Berisha.

– Ju keni kontaktuar me klientin tuaj Izet Haxhia gjatë këtyre ditëve. A ju ka treguar ndonjë gjë që ende nuk dihet në opinion, apo do të pritet gjyqi që të merret vesh?

– Më ka treguar aq shumë, sa kushdo do të befasohej dhe do të alarmohej gjithashtu në dorë të kujt ka qënë Shqipëria dhe shqiptarët. Në punët e pista të vrasjeve të bujshme në Shqipëri, thjesht dhe vetëm për ta bërë vendin dhe popullin “libanizim” në interesin e misionit antishqiptar, Berisha nuk ka kursyer as njerëzit e afërt të familjes së tij…

– Rihapja gjyqit për Azem Hajdarin a mund të sjellë fakte dhe dëshmi të tjera të panjohura që mund të përmbysë krejt historinë për atë vrasje të bujshme?

– Domosdo që kjo vrasje nga më të rëndat dhe që solli pasoja zinxhir, të cilat janë ende varr i hapur edhe sot, do të zbardhet plotësisht.

– Çfarë nënkuptoni me fjalën zbardhje?

– Me fjalën “zbardhje” ne nënkuptojmë kthimin e së vërtetës me kokën lart, sepse është me kokën poshtë. Motivet e kësaj vrasjeje nuk janë hakmarrja primitive, apo ato që shpejtoi të shpallte Berisha. Motivet e kësaj vrasjeje lidhen thjeshtë dhe vetëm me Sali Berishën, si personi i vetëm që nuk e donte më të gjallë Azem Hajdarin. Si dhe pse? Kemi rrugë të gjatë në gjykimin e kësaj çështjeje, ndaj duhet të jemi shumë të rezervuar…

– Në kohën që ka ndodhur vrasja e Azemit, ju me Izetin keni qenë në kampe të kundërta të politikës. A krijon kjo ndonjë vështirësi për zbardhjen e së vërtetës?

– E vërteta e ngjarjes nuk ka asnjë lidhje me krahët që përfaqëson gjithkush në politikë. Kemi përpara një krim makabër të bërë për motive të dobëta. Ky krim ka ngjyrën e zezë të krimit. Nuk ka ngjyrat e ideve apo të bindjeve të mija si avokat, apo të Izet Haxhisë si klienti im. Kushdo të jetë klienti, pavarësisht bindjeve, ideve, racës, krahinës, arsimit, kulturës, e  vërteta e tij është një dhe drejt saj shkohet me profesionalizëm të lartë, me vendosmëri, guxim, përballje dhe principialitet… Izet Haxhia dhe vëllezërit e tij gjithashtu, duke më njohur, më besuan…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT