Takimet me krerët e grupeve të PD e PS, ambasada amerikane zbulon bisedat: Tani është koha për …

Ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar sot takime me krerët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, Enkelejd Alibeaj dhe Taulant Balla.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë me dije se Kim ka nënvizuar rëndësinë e të gjitha institucioneve për të refuzuar përpjekjet për minimin e demokracisë në Shqipëri.

Ambasadorja amerikane ka theksuar gjithashtu se është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi të kaluar nga parlamenti në vitin 2016.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri.

Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate”, shkruan ambasada.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT