Policia kërkon ndihmën e SPAK, vetëm ata mund “të zbërthejnë” agjentin e Operacionales, di lëvizjet e fundit të Ervis Martinaj

Ervis Martinaj, biznesmen i njohur në Tiranë dhe një person i shpallur në kërkim nga SPAK, prej më shumë se një muaji është zhdukur pa gjurmë. Atentatet në vend dhe fati i Martinajt i “hëngrën kokën” Gledis Nanos dhe drejtuesit të ri të Policisë i është kërkuar të zbardhë ngjarjen.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi publikisht Muhamet Rrumbullaku, në ditën e prezantimit të tij në krye të Policisë së Shtetit, që të dalë sa më parë me një deklaratë për fatin e biznesmenit të basteve. Sipas Ramës, Policia duhet t’i thotë publikut nëse 40 vjeçari është vrarë ose nëse është gjallë.

Dje, në një konferencë me gazetarët, Edi Rama tha se Policia e kishte tashmë një vendim për fatin e Ervis Martinaj dhe shumë shpejt me të do të njihet dhe publiku, shkruan newsbomb.al. Por ai nuk dha më shumë detaje nëse Martinaj është vrarë apo Policia ka dijeni se ai e ka inskenuar vetë zhdukjen.

Raportohet se ditë më parë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe veçanërisht Policia Kriminale, janë takuar me prokurorët e SPAK. Ata kanë kërkuar pikërisht që kjo strukturë të marrë në dorë hetimet për Ervis Martinajn, pasi Prokuroria e Kurbinit nuk ka kapacitetet e duhura.

Ervis Martinaj / Jeton Lami
Ervis Martinaj / Jeton Lami

Po ashtu, mësohet se zyrtarët e Policisë kanë kërkuar nga prokurorët specialë që të marrin në pyetje dhe ish-agjentin e Operacionales Jeton Lami, sipas vetë deklarimeve të këtij të fundit shoqëronte Ervis Martinajn prej janarit 2022. Hetuesit e kanë pasur të pamundur “ta zbërthejnë” atë.

Ndaj, është kërkuar që përmes metodave speciale të hetimit, të merret në dorë dosja e biznesmenit të basteve duke u transferuar nga Prokuroria e Kurbinit, e po ashtu të merret në pyetje dhe Jeton Lami pasi rezulton se është personi i fundit që ka pasur kontakt me Ervis Martinajn.

Duket se gjërat kanë nisur të lëvizin, pasi Jeton Lami është transferuar këtë të diel nga Burgu i Shënkollit në Lezhë, në ambientet e “302-shit” në Tiranë. Agjenti i Operacionales rezulton sipas raportimeve mediatike, se e ka marrë Ervis Martinajn mbrëmjen e 8 gushtit në Tiranë dhe e ka çuar në Shijak. Këtu zhduket pikërisht çdo gjurmë e biznesmenit 40 vjeçar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT