“Berisha së shpejt non-grata edhe nga BE”/ Balla sqaron deklaratën: Ka një iniciativë të depozituar në PE…

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla ka komentuar deklaratën e tij të bërë pak ditë më parë në seancën e Kuvendit, ku tha se ish-kryeministri Sali Berisha do të shpallet së shpejt inon-grata dhe nga Bashkimi Europian.
Në një deklaratë për mediat, Balla tha se ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Evropian ku kërkohet që të identifikohen të gjithë personat të cilët janë shpallur non-grata nga SHBA-ja apo që janë të përfshirë në instrumenta të tjerë që SHBA-ja po implementon.
“Unë mendoj se për çështje të karakterit të luftës kundër korrupsionit, minimit të demokracisë, SHBA-ja dhe BE-ja koordinohen mes tyre. Ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Evropian ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur non-grata nga SHBA-ja apo të përfshirë në instrumenta të tjerë që SHBA-ja po implementon për të identifikuar këdo që punon në dëm të demokracisë, natyrshëm një gjë e tillë do të ndodhë edhe në BE.
Sipas vlerësimit tim një gjë e tillë nuk do të vonojë e do të ndodhë shumë shpejt. Këta persona duhet të kenë të njëjtën qasje nga Parlamenti Evropian pastaj edhe nga vendet e BE-së. Është intuitive që një gjë e tillë të ndodhë.”– tha Balla.