E FUNDIT/ Hetimet e Antiterrorit shqiptar: Alarmi për vrasjen e Lulzim Bashës, synohej destabilizimi i vendit

Drejtoria e Antiterrorit shqiptar ka hetuar dhe përgjuar pesë vite më parë dy shtetas të Kosovës dhe një të Maqedonisë së Veriut, si persona të lidhur ose që kishin dijeni për një atentat që mund të organizohej ndaj kryetarit të PD Lulzim Basha.

Këto hetime janë mësuar pas hakerimit të postës elektronike të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit Gledis Nano, nga rrjeti i hakerave “Homeland Justice”. Çështja për kryetarin e atëherëshëm të PD ka shkuar në Prokurori dhe oficeri i Policisë Gjyqësore i ka kërkuar prokurorit Petrit Hysa mbylljen e hetimeve.

Newsbomb.al e ka parë dhe disponon raportin e Drejtorisë së Antiterrorit dhe të Oficerit të Policisë Gjyqësore që është marrë nme rastin, por në kushtet kur nuk dihet nëse çështja është pezulluar dhe çfarë ka ndodhur me personat e hetuar, nuk mund ta publikojmë të plotë.

“Drejtoria e Antiterrorit me shkresë Nr. 315/1 Prot, date 14.04.2017, ka referuar  në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda materialin procedural që bën fjalë për veprën penale të :  “Atentati” dhe “ Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” , të parashikuara nga nenet 219 e 79, të Kodit Penal”, – thuhet në dokument.

Indicja për rastin është marrë nga një deklaratë e Presidentit Bujar Nishani. “[…] i pyetur nga gazetari nëse ka dijeni për një kërcënim të mundshëm ndaj kryetarit të PD-së, Z. Lulëzim Basha, ka deklaruar se ka shumë aktor që duan de stabilitetin e Shqipërisë”, vijon raporti.

Pas këtij informacioni nga ana e Drejtorisë së Antiterrorit është vlerësuar kjo deklaratë dhe është punuar në lidhje me këtë drejtim. Janë vërejtur se në dalje publike të liderit të opozitës kishte shtim të forcave të sigurisë.

“Në kuadër të kësaj situate të krijuar, me shkresë Nr. 1669, të datës 14.04.2017, ardhur nga shërbimet e Inteligjente jemi informuar mbi disa persona të dyshimtë dhe për të cilët janë grumbulluar informacione në lidhje me këtë çështje ku ka rezultuar si vijon.

Nga proceset e ndjekjes janë ngritur dyshime të arsyeshme se individët e njohur si A.M, i njohur si vrasës me pagesë, kanë dijeni apo lidhen me dyshimet për planifikimin e një atentati në vendin tonë ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, me qëllim de stabilizimin e vendit”, thuhet në dokument.

Nga verifikimet e kryera janë siguruar disa të dhëna mbi identitetin e mundshëm të personave që mund ta kryejnë këtë atentat. Të dhënat e tyre janë si më poshtë:

  1. A.M, i datëlindjes 20.12.1959, banues në Rr.”Pançe Poposki”, Gostivar. Ky shtetas ka në përdorim numrin e telefonit +389*******. Posedon automjetet tip Renault Laguna me targa GV-374-GV dhe automjet tip Daevoo Nubira me targa GV-510-BF. Prej vitit 1998 është punonjës i policisë së Gostivarit në sektorin për krim dhe teknik/ Policisë Shkencore. Është person i përfshirë në veprimtari antiligjore trafik droge dhe njihet si një person, i cili është i gatshëm të bëj gjithçka për para.
  2. A.Y, i datëlindjes 27.08.1981 nga Prishtina, i njohur me nofkën “Japani”. Praktikant radikal i fesë Islame, ish luftëtar xhihadist në Siri dhe lidhje me element radikal që kanë luftuar në Siri. Njihet si një person me rrezikshmëri të lartë. Është arrestuar në janar 2016, pasi është gjetur në rrugën e manastirit të Deçanit me uniformë dhe armë, së bashku me shtetasin Alban Kelmendi nga Ferizaj, Kujtim Kurti nga Gjakova dhe Kushtrim Rama, nga Rashkoci i Gjakovës.
  3. F.G, i datëlindjes 21.06.196,”. I dyshuar si i përfshirë në atentatin e vitit 2010 ndaj Alfred Mustakës nga Durrësi, për shkak të konkurrencës lidhur me lojërat e fatit në Ferizaj, Kosovë.

Pasi janë kryer verifikimet e para hetimore, materiali është referuar për veprat penale të “Atentati” dhe “Vrasje në rrethana të cilësuara”, që parashikohen nga nenet 219 dhe 79 të Kodit Penal. Tre shtetasit e mësipërm janë marrë në pyetje dhe janë mbajtur nën përgjim.

Në datën 14.04.2017, nga ana e oficerëve të Policisë gjyqësore në Drejtorin e Antiterrorit është kryer këqyrja e Sistemit TIMS.

Për shtetasin A.M, rezulton se ky shtetas ka disa hyrje dalje nga Republika e Shqipërisë. Hyrja e fundit është në datën 28.08.2018, ora 08.07, nëpërmjet Pikës së kalimit Kufitar Qafë Thanë me automjetin me targa GV3001AC.Tek rubrika Dalje rezulton se ky shtetas ka dalë për herë të fundit  nga Republika e Shqipërisë më datë 31.08.2018 ora 17.30, nga pika e kalimit të Kufirit Qafë Thanë, me automjetin GV3001AC.

Më pas kryen verifikime në TIMS për shtetasin A.Y, i datëlindjes 27.08.1981. Shkohet tek rubrika Hyrje- Dalje., ku rezulton se ky shtetas nuk ka të regjistruar hyrje në Republikën e Shqipërisë. Në rubrikën Dalje nga Republika e Shqipërisë rezulton se ky shtetas të ketë dalë disa herë nga Republika e Shqipërisë, ku dalja e fundit rezulton të jetë në datën 13.06.2016, ora 21.17, nga Pika e Kalimit të Kufirit Morinë, me automjetin me targa 01-224-IE.

Për shtetasin F.G, i datëlindjes 21.06.1966. Shkojmë tek rubrika “Hyrje – Dalje”, ku rezulton se ky shtetas të ketë hyrë në Republikën e Shqipërisë disa herë ku hyrja e Fundit në Republikën e Shqipërisë është në datën 02.02.2010, ora 20.18, nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Muriqan. Tek rubrika “Dalje” nga Republika e Shqipërisë rezulton që ky shtetas të ketë dalë disa herë, ku dalja e fundit rezulton të jetë në datën 03.02.2010, ora 11.18, nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë Thanë.

Pavarësisht këtyre detajeve, oficeri i Policisë Gjyqësore ka kërkuar mbylljen e hetimeve dhe në relacion ai shpjegon dhe arsyet:

“[…] Personat e dyshuar nuk kanë lidhje me objektin e hetimit, ata nuk kanë qenë në Shqipëri në kohën që kanë filluar hetimet, gjithashtu duhet theksuar se kanë qenë shumë kohë më përpara dhe shumë kohë më pas këtyre hetimeve. Nuk janë gjetur lidhje të këtyre personave për të kryer veprat e tilla penale. Po kështu edhe nga ndjekja e mëtejshme e hetimeve nuk janë konstatuar veprime që të vënë në rrezik jetën e kryetarit të opozitës.”

S u g j e r o j:

Pushimin e Hetimit të Procedimit Penal Nr. 147, viti 2017, për veprat penale të “Atentatit”, dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese“, të parashikuara nga nenet 219 e 79, të Kodit Penal.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT