“Apartamente deri në 5000 euro m2”, reagon Meta: 1.2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit

Kryetari i zgjedhur i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se shkak për rritjen e çmimeve në apartamenteve në Tiranë është bërë pastrimi i miliona eurove.
Në një reagim në Facebook, Meta shprehet se gjatë tre viteve të fundit, në Tiranë janë pastruar 1.2 miliardë euro në sektorin e ndërtimit. Kjo ka bërë që çmimi për metër katror të shkojë 2, 3 deri në 5 mijë euro, sipas raportit të Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar.
“Është e qartë tashmë pse çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë arritur shifrat stratosferike 2000, 3000 madje dhe 5000 euro për metër katror.
Është po aq e qarte arsyeja përse shumë prej familjeve të reja zgjedhin emigrimin, pasi të pasurit një apartament të tyre në Tiranë është një mision i pamundur.
1.2 miliard eurot e pastruara në sektorin e ndërtimit gjatë këtyre tre viteve në Tiranë, siç bëhet e ditur nga raporti i Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar mbi të gjjtha qartëson lidhjen e betonizuar midis krimit të organizuar dhe kësaj Qeverie”, shkruan Meta.