Haradinaj godet Thaçin dhe Ramën: Bashkimin niseni nga heqja e taksës në “Rrugën e Kombit”

Bashkimi fizik mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të realizohet pa hequr barrierat ekzistuese. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, apelon që dy palët të tregojnë vullnetin e tyre përbashkues duke hequr taksën për “Rrugën e Kombit” e cila është bërë e papërballueshme për qytetarët dhe bizneset e dy shteteve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka  goditur edhe njëherë dyshen Rama-Thaçi. Marrë shkas nga kërkesa e këtij që parlamentet e Kosovës dhe Shqipërisë të shpallin bashkimin kombëtar.

Haradinaj është shprehur se bashkimi nis nga heqja e taksës në  “Rrugën e Kombit”.

Marrë shkas nga afërsia e presidentit Thaçi me kryeministrin Rama, Haradinaj i lutet që ti kërkojë homologut Rama të hedhë hapin e parë.

Haradinaj: “E lus presidentin t’i kërkojë Edi Ramës t’ia nisë prej hapit të parë. Ta heqë taksën, skanerin. T’ia nisim kështu bashkimin. Unë jam për një bashkim konkret e jo të fjalëve të mëdha. I kisha lutur të gjithë të bëjmë kujdes: që të mos shkojnë fjalët para punëve”.

Për kreun e qeverisë, edhe mirëmbajtja me kompani private e autostradës së konceptuar si patriotike kërkon tjetër zgjidhje, pa u dashur të ngarkohen me tarifa qytetarët e dy vendeve.

Haradinaj shton se të tilla pengesa shtetasit e tij nuk po hasin as me fqinjin verior, Serbinë.

Kreu i ekzekutivit në Kosovë edhe më parë e ka konsideruar të tepruar dhe psikologjikisht bezdisëse taksën 5 euro që çdo drejtues automjeti detyrohet të paguajë për të udhëtuar drejt kufijve shqiptarë.

Taksa për makinat e tonazhit të rëndë është pesëfish më e lartë dhe sipas autoriteteve të Prishtinës, eliminimi i barrierave tarifore vetëm sa do të ndihmonte fuqizimin ekonomik të dy kombeve.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT