Zyrtarët e policisë çeke në Shkodër, kërkohet informacion për zhdukjen e tre studentëve çekë 21 vite më parë

Në tetor të vitit 2001 në zonën e Thethit, në Shkodër u zhdukën tre studentë çekë, pjesë e një grupi turistësh që kishin mbërritur në vendin tonë për të eksploruar zonën.
Sot, 21 vite më pas misteri vijon ta mbulojë këtë ngjarje. Pavarësisht kërkimeve të shumta në vitet që pasuan, asnjë gjurmë nuk u gjet nga tre studentët Jan, Mihal dhe Lenka.
Për këtë ngjarje, një delegacion zyrtarësh policorë nga Çekia kanë mbërritur në vendin tonë.
Delegacioni kryesohej nga Drejtori i Zyrës së Policisë Kriminale dhe Shërbimit Hetimor të Presidiumit të Policisë çeke, Ludek Fiala, i cili shoqërohej nga Kreu i Departamentit të Kërkimit, Jan Rybar, Këshilltari për Çështjet e Personave të Zhdukur z. Tomas Kohout, Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Usti nad Labem, Zbynek Dvorak dhe 4 përfaqësues të Drejtorisë së Ndërhyrjes së Shpejtë URNA.
Qëllimi i vizitës së delegacionit ishte njohja me rezultatet e deritanishme të hetimeve për humbjen e 3 studentëve çekë. Delegacioni zhvilloi një vizitë në terren, në qarkun e Shkodrës, në zonën e Parkut Kombëtar të Thethit, në vendet ku janë parë për herë të fundit 3 studentët çekë.