PAMJET: Shikoni sa kanë ecur punimet për hapjen e tunelit të Llogarasë

Kryeministri Edi Rama e nis ditën këtë të shtunë me pamjet e punimeve në tunelin e Llogarasë, ku po punohet njëkohësisht nga të dy anët në mënyrë që kjo vepër infrastrukturore të hapet sa më parë.
“Mirëmëngjes dhe nga tuneli i Llogarasë ku punohet me ritme të larta për veprën që shkurton kohën, ul kostot dhe rrit sigurinë rrugore drejt bregdetit të jugut, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan kryeministri dhe ndan pamjet.
Tuneli i Llogarasë pritet të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura, nga 110 dhe 40 metra të gjatë. Afati për bërjen e rrugës dhe tunelit është 37 muaj pas nënshkrimit të kontratës dhe tashmë është drejt përfundimit 2/3 e punimeve.
Kompanitë turke Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi Ticaret Limited Sirketi dhe Asl Insaat Taahhut Ve Sanayi Ticaret Limited Sirketi, kanë ofruar mbi 17 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit dhe janë vlerësuar si ofertat më e suksesshme. Fondi limit i përcaktuar nga Ministria e Infrastrukturës ishte 18.9 miliardë lekë.
Tuneli i Llogarasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës dhe konsiderohet si një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore në jug, pasi do të shkurtojë kohën e daljen në bregdetin e jugut. Gjithashtu, shmanget plotësisht ngjitja dhe zbritja e Qafës së Llogarasë.