Privatizimi i “Partizanit”, gjenerali Qirjazi shkon në SPAK! Çfarë deklaroi pak ditë më parë për Berishën, Oketën dhe…

Ish-gjenerali Vladimir Qirjazi është paraqitur ditën e sotme në SPAK për aferën e klubit ‘Partizani’.

Qirjazi do të pyetet si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet e tij.

Pak ditë më parë, në News 24, ai sqaroi çështjen duke deklaruar se ai asokohe ka marrë një urdhër të vazhdueshëm për 6 muaj nga Ministria e Mbrojtjes, me në krye Gazmend Oketën, për ta firmosur procedurën.

Kjo ndërhyrje erdhi pas akuzave të hedhura në drejtim të tij nga dhëndri i Sali Berishës për korrupsion.

Gjenerali nënvizoi se firma nuk ishte në kompetencat e tij pasi kjo pronë nuk gjendej në kontabilitetin e Komandës që ai drejtonte. Ai nuk ka pranuar të firmoste aferën që po heton SPAK dhe u shkarkur nga detyra.

“Ishte procedurë e gjitha fiktive. S’po them që kam patur presion. Më është kërkuar përmes urdhrave dhe shkresave dhe unë i kam kthyer përgjigje sipas ligjit. Ka ardhur antikorrupsioni i zotit Bylykbashi dhe më ka kërkuar që ta firmosja atë gjë duke më thënë se pronarët që e kërkojnë kjo mund të shkaktojë probleme për shtetin, unë i kam çdo gjë sipas ligjit.

Pasi ika, që më shkarkuan në muajin shtator nuk e di çfarë është bërë. Deri në momentin që kam qenë në komandë, unë nuk e kam firmosur sepse ka qenë antiligjore. Për zotin Jamarbër që më akuzon mua për të korruptuar më vjen shumë keq se unë e di çfarë kam hequr pas kësaj procedure. Unë kam qenë punonjës  shteti, kam zbatuar detyrat në mënyrën më serioze”, tha ndër të tjera Qiriazi.

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla i cili ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’ për pastim parash.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT