“Mua dhe qeverinë s’na blen dot askush”, Rama: Akti i parë i dorëzimit, 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës i kalojnë shtetit!

Është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës.

Përmes një video-mesazhi, kryeministri Edi Rama tha se 4646 metra katrorë pa leje në mes të kryeqytetit tashmë i kalojnë shtetit me kontratë noteriale.

Kreu i qeverisë u shpreh se numri i metrave katrorë pa leje është ulur, por ende nuk janë ndaluar sepse sipas tij “e kanë  gjetur gjithnjë rrugën duke paguar inspektorë, ndonjë polic apo ndonjë shef komisariati.

” Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.

Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.

Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.

E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë  gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht  duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur  gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.

Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia  e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi,  kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri  jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga  kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga  tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto  kohë kaq të vështira”, tha Rama ndër të tjera.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT