Mobilizohet marina italiane, 500 ushtarë në aksion për mbrojtjen e tubacioneve të gazit dhe kabllove nënujore

Rreth 500 ushtarë të marinës italiane janë angazhuar në një aksion të madh për mbikëqyrjen, ruajtjen dhe patrullimin e tubacioneve nënujore të gazit që furnizojnë Italinë.
Një mobilizim i paparë ndonjëherë, shkruajnë mediat italiane teksa raportojnë se ushtarët do të patrullojnë ujërat në Kanalin Siçilian për të parandaluar sulmet, rreziqet apo aksidentet që mund t’i kanosen tubacionit të gazsjellësit “Greenstream” që kalon nga Libia në Siçili.
Aksioni vjen vetëm pak ditë pas katër shpërthimeve që dëmtuan rëndë gazsjellësin Nord Stream 2. Perëndimi ka akuzuar rusinë për “sabotim” lidhur me shpërthimet nënujore.
Autoritetet italiane thonë se pjesë e monitorimit të ushtrisë do të jetë edhe gazsjellësi trans-adriatik TAP, që dërgon gaz nga Shqipëria në Itali përmes tubacioneve nënujore. Gjithashtu do të monitorohen edhe kabllot e fibrave optike që kalojnë në këtë zonë.
Marina italiane duhet të monitorojë aktivitetet e dyshimta apo lëvizjet e paautorizuara nga vendi i origjinës, si dhe të skanojë në mënyrë periodike shtratin e detit ku kalojnë gazsjellësit, thuhet në njoftimin e autoriteteve italiane.