Pas sulmit kibernetik, gazetari tregon bisedën me hakerat iranianë: Më kërkuan para në këmbim të informacioneve

Gazetari Fatos Mahmutaj deklaroi se ka komunikuar me hakerat iranianë, pas sulmit kibernetik ndaj sistemeve digjitale dhe qeveritare në muajin korrik.
Në një intervistë për Euronews Albania, Mahmutaj u shpreh se hakerat i kërkuan para, në mënyrë që t’i jepnin materialet që kishin.
“Në fillim, kur Homeland Justice nisi të publikonte të dhënat e para në muajin korrik, një nga ata të cilët i kontaktoi isha edhe unë. I kontaktova më tepër për kuriozitet, kurioziteti i gazetarit dhe më kërkuan para për të më dhënë materiale.
U thashë që nuk kam para dhe nuk më intereson. Më shkruajtën dhe më thanë që deri më tani kemi rreth 30 të interesuar. U thashë që mos të lodhen se nuk kanë për t’i blerë këto materiale. Shumicia e materialeve, ishin në kalendarin iranian, pra ishin të përpunuara dhe jo origjinale”, theksoi ai./m.j
