Cili është futbollisti nga Durrësi që humbi jetën në aksidentin në autostradë

Hektor Psatha është 44-vjeçari, i cili humbi jetën mëngjesin e sotëm pas një aksidenti të pësuar në autostradën Tiranë-Durrës.
Psatha është një emër i njohur jo vetëm për policinë, por edhe për futbolldashësit, pasi është një ish-lojtar i ekipit të Teutës, por edhe kombëtares shqiptare.
Nga ana tjetër, rezulton se në vitin 2017, Psatha ka rënë në prangat e policisë, nën akuzë për shfrytëzim prostitucioni dhe shpërndarje lëndësh narkotike, kryesisht kokainë.
Ai ka rënë në prangat e policisë teksa ishte duke festuar ditëlindjen. Po ashtu policia e kishte skeduar Hektor Psathën para arrestimit, si person me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.
Sipas bluve, “ishte dokumentuar se Hektor Psatha shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesës prej 50 € dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës, kryesisht në zonën e Plazhit”, raporton Panorama.
Sot Psatha humbi jetën në një aksident, shkaqet e të cilit ende nuk dihen, ndërsa u tha se humbi kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga.