Berisha: Do t’i japim Ramës atë që meriton, situata po bëhet katastrofale, të ngrihemi kundër tiranisë

Sali Berisha vijon me thirrjet e tij për protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, edhe pse nuk e ka një datë se kur opozita do të dalë në shesh. Berisha tha nga Gjirokastra se kryeministri do të marrë faturën që meriton nga shqiptarët dhe se do të përgjigjet ndaj çdo abuzimi me taksat e tyre.
Mirëpo duket se kjo “vjeshta e nxehtë” e Berishës po vonon, pasi shtatori iku e bashke me të edhe zotimet e tij se ky muaj do të ishte pikënisja e protestave të fuqishme ndaj kryeministrit Rama.
“Situata po bëhet katastrofale, kemi vendosmëri për protesta të përgjithshme kombëtare, sa më shpejt të jetë e mundur.
Ju bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë e në veçanti bizneseve të vogla që po jetojnë tiraninë e regjimit, të ngrihemi kundër këtij dhunimi ndaj vendit të lirë dhe t’i presim Ramës faturën që meriton.
Do e mbyll me këtë fjalë, nëse marrim 100 vitet e fundit, Rama ka vjedhur më shumë se çdo qeveri, tejkalojnë vjedhjet e 101 viteve”, tha Berisha.