FMN: Pse jemi kundër amnistisë fiskale, të propozuar nga Rama

Përfaqësuesja e FMN, Yan Sun, është shprehur kundër nismës së Qeverisë shqiptare për amnistinë fiskale.
Ajo ka renditur arsyet, përse FMN është kundër.
“-Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor.
-Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen.
Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore.
-Një PDV duhet të zbatohet vetëm kur plotësohen disa kushte. (i) Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, dhe kjo aftësi i është demonstruar publikut për të siguruar që ka një rrezik të besueshem zbulimi.
Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një PDV të mëtejshme; (ii) një kornizë efektive per luften kunder pastrimit te parave dhe luften kunder financimit te terrorizmit LPP/LFT që është në gjendje të zbusë rreziqet e PDV.
-Në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta, parakushtet për një PDV të suksesshme nuk përmbushen. Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Pergjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për LPP/LFT”, tha ajo.