Daçiç: Kosova kërcënon stabilitetin e rajonit
Në takimin që ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç zhvilloi me homologun e tij sllovak, që mban edhe postin e kreut të OSBE-së, Miroslav Lajçak, në Beograd këtë të martë, ashtu siç pritej, Daçiç është ‘ankuar’ për Kosovën.
Në takimin që u zhvillua në Beograd, në kuadër të vizitës së Lajçak në Serbi, Daçiç i ka shprehur këtij të fundit mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Serbisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Në të njëjtën kohë, Daçiç është shprehur se vendimi i Kosovës për vëndosjen e taksës 100% mbi produktet serbe dhe boshnjake po krijonte kushte për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm serb tha: “Duke pasur parasysh se Lajçak vizitoi Shqipërinë, dhe se do të vizitojë vendet e tjera, si dhe misionin e OSBE-së në Kosovë, është e rëndësishme të shkëmbehen mendime në lidhje me të gjitha problemet dhe sfidat, si dhe ‘aktet e njëanshme të Prishtinës, të cilat kërcënojnë të shkaktojnë destabilizim të të gjithë rajonit’ “.