Myslimanet kërkojnë gra për burrat e tyre? Ish-Myftiu i Tiranës: Kjo është agjendë e Iranit

Deklarata e islamologes Ikballe Hudutit, e cila tha se i ka gjetur dy gra të tjera bashkëshortit të saj ka ndezur shumë debate. Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar edhe ish-Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra i cili është shprehur se një burrë nuk mund të jetë i martuar me disa gra njëkohësisht pasi është ‘ekstreme’ dhe se kjo duhet të rregullohet me ligj.
Ai ka pranuar gjatë një interviste televizive se ka pasur disa raste në xhami të martesës së një burri me disa gra.
“Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, theksoi ai.
Lidhur me martesat poligame, dhe rastin e trajtuar në media për një grua që deklaron se ka gjetur gra të tjera vetë për burrin e saj, Gurra tha se:
“Kjo është një agjendë e mirëfilltë. Jo ne por myslimanët kanë shekuj që e kanë problematikë prej tyre. Kjo është një agjendë e mirëfilltë e mbështetur nga struktura shtetërore dhe lloji i saj nuk e përfaqëson dot islamin. Agjendë e republikës së Iranit”.
Gurra tha se pas viteve ‘90 është rritur numri i burrave që kërkojnë të kenë më shumë se një grua.
Huduti deklaroi se islami sipas saj i lejon martesat me shumë gra dhe se ajo vetë i ka bërë ‘dhuratë’ burrit gratë e tjera se “doja t’i fokusohesha fesë”. Një ndër gjërat që ajo tha ishte se ka insistuar ajo që bashkëshorti i saj të mos kishte asnjë mungesë, duke i ofruar kandidatura për martesë të përkohshme. Në njërën prej martesave të përkohshme që partneri i Ikballes ka bërë, kandidatja ka qenë një pëlqim i tij përpara martesës me të.