Liberalizimi i Vizave: Qeveria e Francës e pranon se ka vënë kushtëzime të reja për Kosovën

Qeveria e Francës, saktësish Ministria për Çështje të Evropës dhe Punëve të Jashtme, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen e Albanian Post, se a ka vënë delegacioni francez në Këshillin Evropian kushte të reja për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, ashtu siç u raportua me 13 tetor.

Pyetur se “a mund ta konfirmoni se Franca ka kërkuar kushte shtesë, apo kushtëzime të tjera për Kosovën në takimin e Këshillit të Ministrave”, përgjigjja ka ardhur e tërthorët, duke u konkluduar se Franca nuk e trajton ndryshe Kosovën nga vendet tjera.

Gjithesi,, pa treguar nëse u kërkua që Kosova të funksionalizojë sistemin për siguri në Evropë, ETIAS, apo jo.

“Kosova nuk trajtohet ndryshe nga vendet tjera që së voni kanë përfituar nga liberalizimi i vizave” thuhet në përgjigjen e ministrisë franceze për Albanian Post.

Se puna akoma nuk është kryer për Francën, dëshmohet në pjesën tjetër të përgjigjes. “Diskutimet (për liberalizimin e vizave) po vazhdojnë në Bruksel”, konstatojnë nga ministria franceze.

Në përgjigje gjithashtu është sugjeruar që për të kuptuar më shumë rreth qëndrimit të Francës, duhet të ri-lexohet deklarata e lëshuar nga Franca, Gjermania dhe Polonia, të njohura ndryshe edhe si shtetet e “Trekëndëshit të Vajmarit”.

Ne thërrasim për progres sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën”, ishte fjalia e komunikatës trepalëshe atëherë.

Po prapë, përgjigja për Albanian Post, përsëritë se “Ministrat për Çështje të Evropës të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Veimarit) kanë thirrur në shtator për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Këtë thirrje për progres, diplomacia franceze e quan si “pozicion mbështetës”, derisa shtohet se kjo është “në vazhdën e njohjeve të përpjekjeve që ka bërë Republika e Kosovës”, në procesin e liberalizimit të vizave.

“Gjithashtu vë në pah përkushtimin e Francës në dhe për Ballkanin Perëndimor”, thuhet tutje.

Për të konfirmuar qëndrimin mbështetës, ministra franceze bën thirrje të shikohen shembujt e kohëve të fundit të angazhimit francez në Ballkan.

Përkushtimi francez, thuhet në përgjigjen për AP, “është materializuar për shembull në përpjekjet e suksesshme për të arritur një marrëveshjes në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ose edhe më rishtazi, në riafirmimin e mbështetjes aktive në nivelin më të lartë politik për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Çfarë është ETIAS?

ETIAS [European Travel Information and Authorisation System] do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

Është sistem tërësisht elektronik, i cili lejon dhe mban gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.

Në njëfarë mënyre, i ngjan Sistemit Elektronik të ShBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht funksional në maj 2023.

ETIAS do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar sigurie të secilit aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen të hyjnë në ndonjë vend të Zonës Shengen.

Ndërsa qytetarët e vendeve, që nuk kanë nevojë për vizë për qëllime udhëtimi deri në 90 ditë në BE, nuk kanë nevojë të kalojnë një proces të gjatë aplikimi për vizë, ETIAS do të sigurohet që këta njerëz të mos përbëjnë një kërcënim sigurie. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengen-it.

ETIAS, përveç përdorimit për qëllime biznesi dhe turistike, do t’i lejojë njerëzit të vizitojnë vendet e Shengen-it për arsye mjekësore dhe tranziti. Gjithashtu, do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet që janë pa viza Shengen.

“Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Me rritjen e rrezikut të udhëtarëve në mbarë botën, BE-ja dëshiron të sigurojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. ETIAS do të ulë ndjeshëm shqetësimet e sigurisë nëpërmjet sistemeve të tij të mbledhjes së informacionit dhe të dhënave. Çfarë do të thotë kjo, është se ETIAS do të zbulojë nëse një person është një kërcënim në ndonjë mënyrë për sigurinë e vendeve të Shengen-it. Kjo do të bëjë që personit t’i mohohet hyrja dhe të shmanget kërcënimi për të qenë i pranishëm brenda kufijve të BE-së. Në thelb do të merret me një problem para se të jetë aty”.

Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex), rreth 1,4 miliardë udhëtarë nga vendet që lëvizin lirshëm në Shengen do të preken nga ky rregull i ri.

Procedura është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe mund të bëhet përmes faqes së internetit.

Formulari kërkon të dhënat e udhëtarit, si dhe informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore, udhëtimet në vendet e luftës dhe precedentët kriminale. Aplikimi për autorizimin do të kushtojë 7 euro për person.

Ndryshe Bashkimi Evropian ka planifikuar që vitin e ardhshëm, përkatësisht nga muaji maj, të vendosë në fuqi masën “European Travel Information and Authorization System (ETIAS), që vendet që gëzojnë udhëtim të lirë pa regjim vizash, t’i nënshtrohen një procedure paraprake autorizuese për të hyrë në BE.

Në mesin e këtyre vendeve që do t’i nënshtrohen kësaj procedure autorizuese, janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës e cila edhe ashtu nuk mund të udhëtojë lirshëm në Evropë, pa u pajisur së pari me vizë.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, preken nga kjo masë. /Albanianpost.com

Back to top button
LAJMET E FUNDIT