“Pse duhet t’i pranojnë studentët me 5-a”/ Rama: Mjekësia të bashkohet me Universitetin e Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme në lidhje me cilësinë e mësimdhënies në Universitetet e vendit, duke thënë se duhen marrë masa për rritjen.

Sipas Ramës, Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë në rankimin e vet në rast se ka brenda tij edhe Mjekësinë. Por nga ana tjetër, ai u shpreh se nuk duhet të ketë në të gjithë vendin universitete që i ofrojnë të gjitha degët e arsimimit për shkak se nuk kanë kapacitetet e nevojshme.

“Fjala vjen një tjetër element shumë i thjeshtë për të rritur rankimin. Pasja e një numri të caktuar universitetesh në një ombrellë. Një shembull dhe shpresoj të mos kthehet në polemikë. Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë në rankimin e vet nëse ka brenda Mjekësinë. Këto janë dy universitete të ndara. Po prek mjekësinë që është një nga krenaritë e sistemit tonë aktual akademik për kapacitetet që ka dhe produktet që nxjerr. Nuk mundemi dot ne, një vend kaq i vogël me këto potenciale që kemi, që të kemi në të gjithë territorin e Shqipërinë universitete që i bëjnë të gjitha.

Shtojnë ujë dhe miell duke shtuar mediokritetin dhe duke i hequr vetes mundësinë për të qenë ekselenca në një drejtim te caktuar. Ne po humbasim kohë në pritje të diçkaje që nuk do ndodhë kurrë. Që këtë gjë ta bëjnë vetë universitetet. Nuk e bëjnë dot. Duhet të jemi të përgatitur dhe të punojmë në një drejtim që pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë më tepër tërheqës për tregun e brendshëm dhe atë europian. Duhet të përballemi me pyetjen pse ky universitet bën gjithë këto gjëra. Pse duhet të ketë juridik në të gjithë Shqipërinë. Pse duhet të ketë infermieri në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Ai deklaroi se nuk duhet ulur mesatarja e pranimit në universitete për të mbushur kuotat me studentë me pesa, ndërsa theksoi se shumë shpejt do të presin studentë të huaj.

“Kështu si është ky sistem, nuk na çon larg dhe i bën gjithmonë e më pak tërheqës degë të caktuara, të cilat pastaj detyrohen të ulin pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin dhe pastaj thonë një pjesë do i marr edhe me pesa sepse më duhen. Vijnë tek ne kërkesa që ulni mesataren se na duhen njerëz. Duhet ta shohim në të kundërtën gjënë. Tani po shohim që me hapa të vegjël dhe kuptimplotë edhe kërkimi shkencor po rritet.

Duke u përqendruar te cilësia, vetëm kështu do mund të mbajmë vajza e djem të mrekullueshëm që studiojnë në gjimnaze këtu, e mund të bëjmë atë që sot duket si utopi për të pasur studentë të huaj këtu.”- tha Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT