Kërkesa e SHBA-së për shtyrjen e vendimit për targat, Osmani: Burimi i dhunës është në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni, jo tek ne

“Presioni” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat për një periudhë 10 mujore, për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, është i “pa pranueshëm”.
“Burimi i dhunës është në Serbi, aty duhet të drejtohet presioni, jo tek institucionet e Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media me presidentin e Maltës, George Vella.
Ajo ka shtuar se “partnerët tanë ndërkombëtar kanë thënë se në Kosovë duhet në sundojë ligji, presim përkrahjen e tyre të plotë në sundim të ligjit”.
“Asnjë veprim i joni nuk është kundër serbëve”.
“Ata kanë qenë konsistent që Kosova duhet të punojë në sundimin e ligjit dhe në trajtimin e të gjithëve në mënyrë të barabartë. Çështja e targave është çështje e sundimit të ligjit. 90 për qind e serbëve i kanë konvertuar targat në RKS”.
Osmani ka theksuar se është një pakicë e vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat dhe i shfytyrojnë targat e kohës së Millosheviçit, “kërkesa jonë është që të respektohet ligji, ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet”.
“Llogariteni se si do të ndiheshin ta zëmë në një shtet si Polonia nëse 25 vite pas luftës do të shihni targa të kohës së Hitlerit”, duke shtuar se “jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe e pa moralshme”.
Ajo shtoi se Kosova është shtet i sundimit të ligjit dhe duhet ti jepet fund bandave kriminale që po i kërcënojnë qytetarët.
Kur është pyetur për procesin e dialogut me Serbinë, Osmani ka theksuar se SHBA-ja nuk ka kërkuar nga Kosova një marrëveshje finale pa njohje reciproke.
“Njohja reciproke është e vetja zgjidhje që sjell paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”.
Kanë kaluar rreth 50 ditë dhe numri i serbëve të cilët kanë përfillur kërkesën e Qeverisë së Kosovës për të konvertuar targat e tyre ilegale në ato RKS janë vetëm 13.
Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.
Një gjë të tillë e kishte konfirmuar vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve, ku ftoi të gjithë qytetarët serb ta shfrytëzojnë këtë mundësi, kështu duke u liruar edhe nga detyrimi i pagesës së TVSH-së, akcizës e doganës.