A do të jeni kryetari i listës së këshilltarëve bashkiakë? Meta: Kam plane kombëtare

“I kam propozuar një emër zotit Berisha për kryetar të Parlamentit të Tiranës, të cilin ai e priti me shumë kënaqësi. Dhe të jeni të sigurt që parlamenti i ardhshëm i Tiranës do të jetë institucioni më i rëndësishëm deri në parlamentin e ri të Shqipërisë. Është super politikan”.

Kështu u shpreh të mërkurën kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Për këtë çështje, ai u pyet nga Blendi Fevziu pasi ishte i ftuar në emisionin emisionin “Opinion”. Meta tha se PD-së nuk i është propozuar asnjë listë. Ndërsa teksa fliste për “super politikanin”, Meta tha: Ju e dini që unë jam modest. Nëse do të jetë në krye të listës për Këshill Bashkiak, Meta tha se ka plane në nivel kombëtar.

Blendi Fevziu: Kush është super politikani që ia keni propozuar Sali Berishës dhe ai e ka pritur me kaq entuziazëm?

Ilir Meta: Keni shkëputur një pjesë nga gjithë ai rrethim i kolegëve tuaj gazetarë atje në selinë e PD…

Blendi Fevziu: Kush është i pari i listës që do të keni?

Ilir Meta: Nuk ekziston një listë e tillë sepse një listë e tillë bëhet nga forumet përkatëse. Së dyti nuk është bërë një propozim, është diskutuar për rëndësinë e fuqizimit të këshillave bashkiake, të shndërrimit të tyre në parlamente vendore, dhe si pjesë e kësaj marrëveshje që të fusim këto risi të seancave jo vetëm transparente dhe live, por edhe dëgjimit të qytetarëve që dëmtohen dhe i shkelen të drejtat.

Blendi Fevziu: Kush është ky super politikani?

Ilir Meta: Të jeni të sigurt që ka super politikanë dhe super personalitete publike…

Blendi Fevziu: Prandaj ne jemi në super situatë sepse kemi kaq shumë super. Kush është ky superi që ia keni thënë Berishës dhe që keni entuziazmuar edhe doktorin?

Ilir Meta: Super politikanin do ta shikoni, nuk do të jetë anonim.

Blendi Fevziu: E quani vetën super politikan?

Ilir Meta: Ju e dini që unë jam modest zoti Fevziu në çdo rast.

Blendi Fevziu: Mesa duket këtu keni folur në vetën e tretë. Ai super politikani e kishit për veten?

Ilir Meta: Zoti Fevziu, kam plane kombëtare kështu që…

Blendi Fevziu: Vetë thoni që parlamenti i Tiranës do të jetë më i rëndësishmi?

Ilir Meta: Do të jetë më i rëndësishëm se ky aktual, por jo se parlamenti që do të vijë.

Blendi Fevziu: A do të jeni ju kryetari i listës së këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë?

Ilir Meta: Jua thashë zoti Fevziu që kam plane në nivel kombëtar shumë të mëdha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT