“Një nga infermieret është liruar”/ Dhëndri i të moshuarës së dhunuar: Ja çfarë më thanë drejtuesit e azilit

Rasti i rëndë i dhunimit të një të moshuare nga personeli i një azili në Pejë të Kosovës shokoi mbarë opinionin publik gjatë ditës së djeshme.
Për të zbuluar më shumë për këtë rast të rëndë, i ftuar në emisionin “Breaking” në Top News, me moderatore Elisa Gjeranin, ishte i ftuar dhëndri i të moshuarës, Erzen Vala.
Ai ka deklaruar se nga qendra e të moshuarve i kanë thënë se ngjarja ka ndodhur në një zonë ku nuk kishte kamera dhe të vetmet pamje janë ato të bëra publike. Ai shtoi se një nga infermieret është liruar pasi ka deklaruar se ka qenë vetëm dëshmitare dhe nuk e ka dhunuar gruan.
“Nuk kemi komunikuar me ato që e dhunuan. Dje kur kemi shkuar për të marrë të moshuarën ato ishin të arrestuara. Kemi biseduar vetëm me menaxherin e qendrës dhe disa punonjësve të tjera. Më kanë thënë që ngjarja ka ndodhur në një zonë që nuk kishte kamera, në tualetin e qendrës. Janë arrestuar 4 punonjësve. Një është liruar me pretekstin që ka qenë dëshmitare. Ky është informacioni që kemi ne.”- tha ai.