Manjani këshillon pedagogët: Shisni provime, diplomat dhe vidhni se s’ka problem

Ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u ka bërë thirrje pedagogëve që të kthehen në auditore. Manjani u drejtohet duke u thënë vidhni edhe ju si gjithë rrogëtarët e atdheut tonë.
“Kthehuni në auditore.
Bëhuni me fe dhe punoni te atdheu i hajdutërisë. Rrogat e ulëta janë pjesë e atdheut ku të gjithë jetojnë me xhepin e tjetrit, me xhepin e hallexhiut.
Edhe ju jetoni me xhepin e hallexhiut që të jeni bij të atdheut që ka ndërtuar qeverisja e keqe dhe shumë e keqe.
Nuk ju del rroga?
Ska problem. Vidhni edhe ju si gjithë rrogëtarët e atdheut tonë.
Feja e shqiptarit tashmë është hajnia. (Miratuar me VKM kjo fe)
Bëhuni edhe ju si gjithë të tjerët. Heshtni. Vidhni. Shisni provime, diplomat. Bëni sikur, se muhabet kot u bë kjo puna e shkollimit të rinisë këtu…
Bëni siç bëjnë pedagogët e tjerë që kanë fe dhe paraqiten në auditoret e atdheut ku vidhet paraja,nderi, dinjiteti e vullneti”, shkruan Manjani në rrjete sociale.
Ai i ka këshilluar pedagogët që të mbajnë parasysh se në atdheun e hajnisë, askujt i duhet diploma sot.
“Kush e refuzon këtë atdhe, thjesht ikën nga sytë këmbët prej tij. Pse duhet të bëjë grevë? Për ti kërkur hajnave lëmoshë?!
Në atdheun e hajnisë kurrë nuk rritet rroga.
E mbani mend përse Enveri nuk i rriste kurrë rrogat e fatorinove të autobusëve, apo të punonjësve të shërbimeve? Sepse ato jetonin me bakshish.
Edhe një gjë tjetër, thirrjet tuaja për ambasadat dhe Presidentin e republikës së hajnisë janë zhgënjyese.
Shkoni në auditore më mirë. Nuk ka grevë me mbrojtje diplomatike”, shkruan më tej Manjani.