“Asnjë kriminel shqiptar nuk duhet të pranohet në Angli”/ Emigranti i irrituar: Do dal në protestë më 12 nëntor për…

Tensionet po rriten për azilkërkuesit që mbërrijnë në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar. Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të refugjatëve që hyjnë ilegalisht në Britaninë e Madhe.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, ka folur me një gjuhë të ashpër mbi emigrantet e paligjshëm shqiptar. Ajo ka pohuar se do të trajtojë “pushtimin” nga emigrantët me politikat e saj të reja, duke shkaktuar reagime të mëdha për gjuhën e përdorur.

Ndër të tjera ajo tha:

“Le të ndalojmë së pretenduari se ata janë të gjithë refugjatë në gjendje të vështirë, i gjithë vendi e di se kjo nuk është e vërtetë. Ne duhet të jemi të drejtë me publikun. Sistemi jonë është jashtë funksionit. Migrimi i paligjshëm është jashtë kontrollit dhe shumë njerëz janë të interesuar të luajnë lojëra sallonesh politike, të mbulojnë të vërtetën sesa të zgjidhin problemin, asnjë shqiptar i vetëm nuk duhet të pranohet si refugjat. Shqipëria nuk është një vend i shkatërruar nga lufta dhe është shumë e vështirë të argumentohet se kërkesat për azil janë legjitime.

Ekziston një problem i veçantë me burrat shqiptarë që kalojnë kanalin ilegalisht ose për të gjetur punë për rreth nëntë muaj ose për të punuar me kriminelë që kërkohen ndërkombëtarisht. Nëse Laburistët do të ishin në krye, ata do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vinin në këtë vend, do të lejonin të gjitha varkat e vogla të vinin në Britaninë e Madhe, do të hapnin kufijtë tanë dhe do të minonin totalisht besimin e popullit britanik.

Qeveria tani po përpiqet të punojë mbi propozimet që qeveria shqiptare të përpiqet të frenojë këtë fluks njerëzish si dhe të punojë në një rrugë “të shpejtë” për të dëbuar ata që mbërritën në Britani në 10 muajt e fundit”.

Kjo deklaratë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” nga Anglia ishte Ermir  Kola.

Ky i fundit është emigrant që ka mbërritur në Britani me kamion  me familjen kur ka qenë 10 vjeç. Tani që është rritur punon në një kompani ndërtimi si mbikëqyrës i kujdesit ndaj klientit.

Kola u shpreh se nuk është e drejtë që të konsiderohen të gjithë kriminelë dhe se e gjithë kjo është “gjë politike”.

“Nuk është e drejtë të na drejtojnë gishtin si kriminel. Frikë nuk kemi se kur një person është i drejtë nuk ka pse të ketë frikë. Por reagimet e miqve, të afërmve, normalë që do kenë opinionet e tyre. E kur dëgjojnë një gjë nga një fytyrë politike të tyre, do krijojnë një mendim ndryshe. Krijohet një stereotip”, tha Kola.

Ndërsa i pyetur nëse do të ketë protestë më datë 12 nëntor, ashtu siç është paralajmëruar në rrjetet sociale, Ermiri u shpreh se “po”. Madje ai u shpreh se do të jetë i pranishë.

“Po, do ketë një protestë. Aty do të jem edhe unë. Nuk e kam organizuar unë, por do të shkoj. Do të shkoj  për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Nuk jemi kriminelë siç na thonë të gjithë.

Disa nuk është që nuk e thyejnë ligjin, por mendoj se nuk kanë rrugë tjetër. mendoj se nëse u jepet e drejta e punës, ata do të preferonin një punë të ndershme”, përfundoi Kola.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT