“Edhe kur flemë, truri na punon”/ Emigranti shqiptar që ka kompani ndërtimi në Angli: Vende pune ka plot, por nuk na…

Florenx Kullani është një 38-vjeçar nga Dibra, i cili ka emigruar drejt Greqisë në  vitin 2000  vetëm për 1 vit. Më pas u kthye në Shqipëri për disa muaj dhe  me gomone u nis drejt Italisë në vitin 2002. As në Itali nuk e shihte të ardhmen dhe në tetor të 2002 u nis me kamion drejt Britanisë së Madhe.

E nisi si lavazhier dhe më pas si punëtor ndërtimi në një kompani, punonte çdo ditë dhe çdo fundjavë deri në maj të vitit 2017 që hapi kompaninë e tij të ndërtimit, e cila ka rreth 50 punëtor. Ai merret me ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe rrugëve.

Kullani ndihet i fyer nga deklarata e sekretares sepse ai është një person që ka hyrë ilegalisht në Britani, por kjo nuk e bën kriminel, ai me punë ka treguar që mund t’ia dal të jetë të jetë i suksesshëm dhe të jap kontributin e tij.

Sot ai ka një kompani ndërtimi dhe është irrituar nga lajmet e shumta dhe deklaratat e bëra  nga politikanët anglezë që i cilësojnë shqiptarët si “kriminelë”.

Si ishte sot i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku u shpreh se “shqiptarët janë shumë punëtorë”.

“Edhe kur flemë, truri na punon. Ndihem keq kur dëgjoj llafe për ne shqiptarët. Këto fjalë nuk ndikojnë te njerëzit që ne punojmë bashkë.

Nuk kam parë ndryshime në sjellje të britanikëve ndaj meje. Jemi gjatë gjithë kohës në punë dhe ata e dinë se si jemi ne”, tha Kullani.

Ky i fundit shtoi se vetëm dje e ka marrë vesh në lidhje me protestën që do mbahet më 12 nëntor në Britani të Madhe nga emigrantët shqiptarë.

“Do të shkoj bashkë me punëtorët e mi për tu treguar anglezeve që nuk jemi kriminelë”, tha emigranti shqiptar.

Duke qenë se ai ka një kompani ndërtimi, moderatorët e emisionit e pyetën nëse shqiptarët e marrin në telefon kur shkojnë në Angli, Kullani tha:

“Po, por unë jam në punë shteti dhe nuk mund ti ndihmoj. U them mirë kanë bërë që kanë ardhur. Unë kam shkuar në 2002. Isha i uritur për punë, për sukses. Edhe ata që vijnë sot kanë një ëndërr, qëllim. Në Shqipëri nuk ka të ardhura.

Ne jemi racë punëtore. Jemi shumë të uritur për punë, kemi shumë energji. Vende pune ka plot në Angli që anglezi nuk do t’i bëjë. E ne nuk na japin të drejtë të punojmë në mënyrë legale”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT