Daçiç: Nëse SHBA-BE s’i japin fund Kurtit, tregon se janë të pafuqishëm ose heshtin

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk mund t’i japin fund Albin Kurtit, atëherë kjo është ose pafuqia e tyre, ose pëlqimi i tyre në heshtje”. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç në një intervistë për RTS (Radio Televizioni Serb).
I pyetur nëse Perëndimi do të mund t’i bëjë presion Prishtinës, shefi i diplomacisë serbe thotë se askush në Serbi nuk e beson këtë. Ai deklaroi se Serbia nuk është palë në konflikt, por se po lufton për mbrojtjen e Marrëveshjes së Brukselit.
Ministri i tha Bashkimit Evropian se është edhe detyrim i tij që të formojë Asosacionin. “Unë i them BE-së se është edhe obligim i tyre që të formojnë Asosacionin, jo vetëm të Kurtit. E ka nënshkruar Catherine Ashton, nëse nuk është kështu, atëherë edhe mua më keni mashtruar”, ka theksuar Daçiç.
Në Mitrovicën e Veriut, të dielën, është mbajtur një protestë e thirrur nga Lista Serbe për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, Republika e Kosovës.
Kjo protestë është mbajtur një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.