Mori Yllin e Mirënjohjes nga Rama, kush është Gjenerali italian i Guardia di Finanza, kontributi që dha për patrullën shqiptare

Kryeministri Edi Rama ka nderuar sot gjeneralin italian të Guardia di Finanza, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana, me Yllin e Madh të Medaljes për Mirënjohje Publike. Ai e ka quajtur nder dhënien e medaljes për një personalitet të tillë.
“Doja t’ju thoja që kjo medalje që është Ylli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu, në gjoksin e një personaliteti është gjithmonë një nder i madh. Të dekorosh një gjeneral për mua nuk është diçka që ndodh përditë. Një emocion i veçantë”, vijoi Rama.
Gjenerali italian Zafarana erdhi në Shqipëri në kuadër të kremtimeve të 25 vjetorit të krijimit të Njësisë së Kufirit Detar dhe për të vizituar anijen e Guardia di Finanza-s italiane, P-04 “Osum”, e cila është ankoruar në Portin e Durrësit. Anija do të hyjë në shërbim në pranverë të vitit 2022 për të patrulluar kufijtë detarë italianë e europianë kundër trafiqeve ilegale, me një rol strategjik në sigurinë e gjithë zonës së gjerë të Mesdheut.
Rama e falenderoi gjeneralin italian për kontrubutin që ka dhënë në përpjekjet e përbashkëta me Policinë shqiptare, në luftën kundër traikut të drogës përmes survejimit ajror.
Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, gjenerali Zafarana tha se “është nder i madh për mua të marr këtë medalje. E falënderoj Kryeministrin Rama për vëmendjen që më kushtoi”.
“Ceremonia e sotme, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të njësisë së kufirit detar, përveç dëshmi e bashkëpunimit dhe miqësisë së njësisë mes Guardia di Finanza dhe Policisë shqiptare është për mua një mundësi për të përsëritur dhe konfirmuar angazhimin e agjentëve të Guardia di Finanza në veprimtaritë e përbashkëta me autoritetet vendore”, tha Zafarana.
Gjenerali Zafarana u shpreh se Guardia di Finanza ka qenë pranë popullit shqiptar dhe këtë e dëshmon edhe bashkëpunimi gjithnjë e në rritje me institucionet përkatëse.
“Ishte viti 1997, i pari plan veprim i cili parashikonte të parën prani veprimi në territor të 46 ushtarakëve të angazhuar në njësinë qendrore me seli në Tiranë. Bëhet fjalë për misionin më të gjatë të Guardia di Finanza, një mision që me kalimin e kohës zgjeroi planin e tij të veprimit. Me kalimin e viteve është organizuar një veprimtari mbikëqyrëse nga ajri nëpërmjet përdorimit të mjeteve të përparuara ajrore.
Një sinergji që ka bërë të mundur arritjen e rezultateve shumë të larta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike në rrugë detare, kundër kontrabandës së cigareve dhe emigracionit klandestin”, nënvizoi ai.
Gjenerali Zafarana vuri në dukje se përvoja pozitive e misionit ka bërë të mundur përmirësimin e teknikave dhe rritjen e aftësisë si në aspektin e aftësisë fizike, dhe atë operative, një hap ky në shtrirjen e Guardia di Finanza përtej kufijve kombëtarë.
Në mbyllje të fjalës së tij, gjenerali Zafarana tha se “më lejoni të shpreh edhe një herë, si në emrin tim, edhe të Guardia di Finanza, ndjenjat e mirënjohjes me shpresën që në të ardhmen të dakordësojmë mënyra të tjera për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë tashmë”, u shpreh gjenerali italian.