Kurti: Kosova 20 vjet nën pushtetin e “tajkunëve”
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti përmes një statusi në “Facebook” ka kujtuar 20-vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës. Kurti thekson se ka 20 vjet nga ajo marrëveshje e se Kosova e çliruar, tashmë është nën pushtetin e tajkunëve.
Statusi i plotë
Kur Serbia i ka okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën. Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë.
Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh.