Kryemadhi: Ndërkombëtarët janë burokratë institucionesh, PL me kandidatët e saj në Primaret e PD-së

Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi,  ka sulmuar ashpër ndërkombëtarët, duke thënë se janë burokratë institucionesh.

Në emisionin “Debat” në A2CNN ajo është pyetur për bashkëpunimin me kreun e PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur   “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Sigurisht që ndërkombëtarët kanë rëndësinë e tyre, por situata ku gjenden shqiptarët nuk ka të bëjë me atë që mendojnë ndërkombëtarët. Pjesa më e madhe janë burokratë institucionesh që zbatojnë politikat e partive që janë në pushtet”.

Sipas Kryemadhit, Partia Demokratike është përtej zotit Sali Berisha.

“Vetë opozitarizmi është përtej liderëve të opozitarizmit. Një opozita e fortë do të krijojë opozitë të fortë. Një opozitë e eliminuar krijon diktaturën e krimit”, ka thënë Kryemadhi.

Kryemadhi tha se në disa bashki do të marrin pjesë në primaret e organizuara nga Partia Demokratike, edhe elementë të PL-së.

“Në disa bashki, ku ka pasur rakordim midis PD dhe PL, ku ka pasur kandidatë të pëlqyeshëm nga opozita, do të ketë një regjistrim të anëtarëve të PL që mund të marrin pjesë në procesin e primareve. Janë kandidatura me probabilitet të lartë për të fituar, por fokusi i PL janë këshillat bashkiakë, që t’i kthejmë në parlamente të qyteteve”, tha Kryemadhi.

“Primaret do të mbyllin etapën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve, që për mua është shumë e vonë, duhet të ishte bërë me kohë, por për shkak të kushteve e rëndësishme është që bëhet fjalë për një proces që Partia Demokratike e kishte premtuar. Ashtu siç kemi ne të Partisë së Lirisë referendumin. Pas primareve, vjen mendimi i strategjisë së përbashkët të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit”, shtoi Monika Kryemadhi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT